Telegrafi

Brenda majit përfundojnë 2 tunelet e Kalimashit

Olldashi u shpreh se “mbeten edhe rreth 508 metra për tu takuar dy tunelet”. “Nga 5.6 km që është gjatësia e tunelit ka mbetur më pak se 1/10 e gjatësisë për tu takuar dy galeritë me njëra-tjetrën dhe parashikohet që në fillim të muajit maj, në varësi të shkëmbit që haset, tunelet do të takohen. Prandaj do të kemi një tunel të hapur në fillim të majit”, tha të mërkurën ai.

Olldashi u ndal për të parë nga afër ecurinë e punimeve në segmentin ku po punon firma maqedonase “Granit”, disa punëtorë të së cilës janë futur dy ditë më parë në grevë urie për kërkesa ekonomike. Lidhur me grevën e punëtorëve ministri Olldashi u shpreh se ky është një problem i firmës dhe jo i shtetit.

“Çështja e marrëdhënies së punonjësve me sipërmarrësit e tyre private nuk ka lidhje me ne. Ajo që më intereson mua është ecuria e rrugës. Detyrimi ynë është të paguajme kompanitë, më pas se si merren vesh kompanitë me punëtorët e tyre nuk mund ta përcaktojmë”, tha Olldashi.

Njëkohësisht Olldashi konfirmojë se me një vendim të ditëve të fundit të qeverisë janë marrë masa edhe për problemin e kompensimit të banorëve që preken nga ndërtimi Rrëshen- Kalimash. /news24/balkanweb/