Site icon Telegrafi

Brenda magjisë së poezisë së Xhevdet Bajrajt

Nga: Adil Olluri

Poezinë e Xhevdet Bajrajt, e këtij poeti rrëmbyes, do ta lakmonte secili lexues, secili autor veprash, secili botues dhe secila letërsi. Por, ja që letërsia shqipe ka fatin ta ketë të vetin dhe, po ashtu, Armagedoni me lexuesit e vet.

Një ndjesi të rrëmbimit nga vargu i bukur i Bajrajt e përjetova sa lexova dorëshkrimin e veprës së tij me poezi Kafe me nënën, e cila lexuesve shqiptarë dhe të huaj u vjen nëpërmjet shtëpisë botuese Armagedoni nga Prishtina, e cila fokusim të veçantë ka letërsinë e sotme shqipe dhe për këtë interesim duhet lavdëruar dhe përgëzuar.

Ky libër i ri i Xhevdet Bajrajt ka një kryepersonazh lirik. Ajo është nëna e poetit e cila nuk ka më shumë se një vit që ka ndërruar jetë. Poeti e kujton atë, e ndien mungesën e saj, e ëndërron dhe i shkruan poezi përkushtuese dhe përpiqet të bisedojë me të e ta mbajë gjallë në krijimtarinë poetike, pasi që, duke ndier mall për të, e ka frymëzuar shumë. Pra, në shumë poezi të këtij libri nëna është motivi tematik.

Dhimbja dhe përjetimi, si sensibilitet dhe shënjim konceptual, e bëjnë të dallueshëm këtë vepër poetike të Xhevdet Bajrajt nga ato paraprake. Pra, këtu s’e kemi më një Xhevdet Bajraj që në plan të parë i ka reagimin, indinjatën, revoltën me dhe për të tashmen, por një poet që, përpos reagimit individual intelektual ndaj dukurive të këqija në vendin tonë, ndien dhimbje dhe mungesë edhe për qenien më të dashur – nënën.

Ndër poezitë më të bukura në këtë libër, në të cilat figura e nënës është çelësi figurativ, janë: Kafe me nënën (nga e cila vepra e merr titullin), Nëna dhe pëllumbat, Medaljoni, Tetëdhjetë e tri vjet zgjati rruga e saj, Nëna ime dhe lulet, Gjethi që kishte fytyrën e nënës, Mëngjesi në Rahovec dhe shumë të tjera, ku nëna është e pranishme për ta rritur përmasën e nostalgjisë të poetit për vendin e tij, për të kaluarën dhe të tashmen e tij. Pra, mungesa e nënës bëhet e pranishme në realitetin e veprës artistike.

Kafe me nënën ka një sërë poezish që janë të shkruara me mjeshtëri të lartë artistike. Janë krijime antologjike për mënyrën e ligjërimit, sensibilitetin dhe për tablotë e krijuara për të cilat shquhet Bajraj. Lumi i fryrë, Vallëzimi i të marrëve, Shtëpia e zvarranikut, Brenda shtëpisë së braktisur, Është koha, De Niron do ta vrasin në fund të filmit, Medaljoni, Kafe me nënën, Kur prostitutat dhe politikanët i donin poetët, Rruga e diellit nuk janë poezi që shkruhen shpesh, nuk janë poezi që mund t’i shohësh e t’i lexosh në çfarëdo libri, nuk janë poezi që mund të krijohen nga secila pendë krijuese, nuk janë poezi që mund të botohen në secilën stinë. Këto poezi të lartcekura të këtij poeti do të bëjnë jetë të gjatë dhe do të kenë rrugëtim të gjatë në duart dhe mendjet e lexuesve.

Lumi i fryrë është një poezi antologjike, me mesazh të qartë që lidhet me aktualitetin tonë. Në të, përmes gjuhës poetike, poeti tregon se si lumi i marrëzisë njerëzore e izolon individin, njeriun e dinjitetshëm e bën të mbyllur, të jetojë i vetmuar. Përballjen me një lumë e llum të tillë marrëzie në një kohë antivlerash e përjeton secila qenie e dinjitetshme njerëzore.

Vallëzimi i të marrëve është një poezi e bukur, në të cilën poeti revoltueshëm flet për marrëzinë kolektive të qenieve që iu mungon dinjiteti fillestar njerëzor. I godet me penën e tij të paarsyeshmit që janë në gjendje të vallëzojnë e të festojnë pandërprerë për simbolika, koncepte dhe për gjëra që aspak nuk i kuptojnë, por nuk e kanë fijen e empatisë për fqinjin e tyre të mundshëm, plakun e vetmuar, i cili vdes pa përkujdesjen minimale.

Shtëpia e zvarranikut është në vazhdën e poezive revoltuese të Bajrajt. Në të mbizotëron ligjërimi satirik dhe ironik për aktualitetin shqiptar. Në këtë poezi me anë të një ligjërate tallëse goditet mënyra se si njerëzit e kohës sonë e mendojnë dhe e realizojnë jetën e tyre.

Brenda shtëpisë së braktisur është një poezi e ndjeshme dhe e ndjerë, e dalë nga brendësia e shpirtit të poetit. Në të ai flet me mallëngjim dhe nostalgji prej të mërguarit për vendlindjen larg së cilës jeton tash sa vjet. Kjo poezi është në linjë ideore dhe tematike me poezinë Shtëpitë e braktisura, e realizuar me emocion dhe mjeshtëri.

Është koha është mjeshtërore për nga mënyra se si ndërtohet vargu përjetues, se si ndihet mungesa e njeriut të dashur (nënës së poetit).

Medaljoni është antologjike për shkak të shpalimit të dimensionit të mungesës dhe nostalgjisë. Poeti kishte parë ëndërr se si në kthinat e qytetit ku jeton ia kishin vjedhur medaljonin e nënës. Kur pushon së ëndërruari sheh se medaljonin e ka me vete, por i mungon nëna, dhe fillon ligjërimi përjetues dhe nostalgjik i poetit.

Kafe me nënën është në vijë konceptuale me poezinë paraprake, vetëm se këtu kujtimi dhe përjetimi janë më të theksuar. Është poezi antologjike për nënën e vdekur dhe gjendjen pikëlluese të poetit.

De Niron do ta vrasin në fund të filmit, për mendimin tim, është poezia më e veçantë e këtij libri me poezi të Xhevdet Bajrajt. Është mjeshtëri e poetit se si arrin që brenda një poezie të shkurtër ta krijojë një tablo në të cilën përfshihen disa motive tematike e disa koncepte ideore. Është poezi që lë shumë mundësi interpretimi dhe mund të lexohet nga shumë kënde vrojtimi. Vargu Nënë, De Niron do ta vrasin gjithsesi në fund të filmit është një konceptim për fundin e përcaktuar, për fundin që dihet. Është një fund jo i lumtur, jo i bukur për realitetin në Kosovë, një parashikim i zymtë nga poeti. Është një poezi me një brendësi tregimtare në të, ku shpaloset qëndrimi kritik dhe revoltues i Bajrajt ndaj vrazhdësisë së aktualitetit dhe njerëzve të vendit të tij, të cilët, sipas poetit, e respektojnë një vrasës. Një shoqëri që i respekton vrasësit, sipas këtij krijuesi, nuk ka se si ta ketë fundin e lumtur. Po ashtu, në këtë poezi të Bajrajt na jepet një tablo e mallit për qytetin e tij të lindjes, për kafenetë e qytetit dhe llafosjet e zakonshme me nënën e tij që tashmë nuk ekziston.

Kur prostitutat dhe politikanët i donin poetët është një dialog poetik dhe ironik në mes të poetit idealist dhe atij pragmatik. Poeti pragmatik, tashmë i shtyrë në moshë, thotë se e ka shkruar dhe dashur poezinë për shkak se në kohën e tij prostitutat dhe politikanët i donin poetët, ndërsa poeti idealist, tashmë në moshë të mesme (moshë e poetit real Xh. Bajraj), është nxitur të shkruajë nga krejt diçka tjetër, është nxitur të shkruajë nga admirimi për veprat dhe respekti që si i ri kishte pasur për poetin e shtyrë në moshë. Pra, kemi një ballafaqim konceptesh dhe botëqëndrimesh lidhur me artin poetik. Një poezi e veçantë, atipike për letërsinë e sotme shqipe, ku ngrehen dilemat rreth vlerave dhe të vërtetave të poetëve tanë të njohur. Është poezi që synon shembjen e idhujve të padenjë dhe kështjellave prej letre që kanë marrë vlerësime të pamerituara nga kritika konjukturale akademike në Kosovë. Ndërkaq, Rruga e diellit është një poemth i bukur lirik, në të cilën spikat brendësia rrëfimtare që është shenjë karakterizuese në shumë poezi të Bajrajt. Është urim i gjatë i poetit, tashmë gjysh, për nipin me rastin e ditëlindjes së këtij të fundit. Brenda këtij urimi të gjatë shohim këshilla jete për nipin, të cilat mund t’u shërbejnë edhe të tjerëve për nipër dhe mbesa.

Këtë rrugëtim interpretues brenda librit me poezi Kafe me nënën të poetit tonë, tashmë të mirënjohur, Xhevdet Bajraj, e bëra për ta dhënë një tablo sa më të qartë sqaruese dhe vlerësuese për poezinë e këtij poeti, duke qenë i bindur se thelbi i një interpretimi është vlerësimi dhe poezia e Bajrajt e meriton këtë jo vetëm për këtë libër, por për të gjitha librat e tij me poezi. Ai është një krijues që duhet trajtuar me respekt dhe me dashuri dhe të jetë sa më shpesh e sa më i pranishëm në sofrat e lexuesve dhe të kritikëve të poezisë.

Së këndejmi, përpos motiveve ideore dhe tematike, perspektivave të veçanta poetike, ajo që e shquan ligjërimin artistik të Xhevdet Bajrajt është krijimi i tablove, pamjeve dhe sekuencave të veçanta poetike, që e bëjnë atë një nga poetët më të mirë të imazhit jo vetëm të letërsisë së sotme shqipe. Arti i tij poetik është i brumosur me brendësi tregimtare, ku gjërat që thuhen nëpërmjet gjuhës poetike, përpos që lexuesit mund t’i lexojnë e mund t’i ndiejnë, ata mund edhe të krijojnë edhe një perceptim vizual për to dhe rreth tyre. Poezitë e tij Pilati, Gruaja e armatosur, Fishkëllima e vdekjes, Medaljoni etj. shumë lehtë mund të bëhen tregime të shkurtra dhe filma të shkurtër artistikë.

Po e mbyll këtë fjalë, duke shkruar edhe këto: është kënaqësi të flasësh me Xhevdetin për Kafe me nënën dhe po kaq kënaqësi të shkruash për këtë libër shumë të bukur.

Exit mobile version