Site icon Telegrafi

Brenda hapësirave të sallave të Cineplexx në Prishtinë (Foto)

Po thuajse të gjitha përgatitjet janë kryer për hapjen e madhe të Cineplexx Kosova, e cila do të jetë kinemaja e parë me 6 salla me teknologjinë më të lartë. Drejtuesit e Cineplexx-it kanë treguar se filmi kosovarë i propozuar për Oscar “Home sweet Home” me regji të Faton Bajraktarit do të jetë filmi i parë pjesëmarrës në hapjen e Cineplexx Kosova.

Drejtori teknik i Cineplexx Group, Michael Redtenbacher, ka thënë gjatë një konference për media se përveç teknologjisë së lartë të shfaqjes së filmave sallat do t’i kenë mbi 800 ulëse.

“Këto gjashtë muajt e fundit, bashkërisht me Albi Group kemi formuar një kinema me rreth 834 ulëse e gjashtë salla. Salla më e madhe ka 274 ulëse. Në të gjitha sallat kemi projektorët me fjalën e fundit të teknologjisë kurse salla më e madhe ka ekranin me gjatësi 16 metra, pra rreth 50 metrat katrorë”, tha ai.
Redtenbacher, ka treguar se totali i investimeve për hapjen e Cineplexx Kosova kap vlerën rreth 4.5 milionë eurove, deri sa aktualisht janë të punësuar 26 persona.

Ndërkaq, drejtori gjeneral i Cineplexx Kosova, Milazim Salihu, tha se me hapjen e një kinemaje të këtij niveli është plotësim i një ëndrre.

“Një ëndërr po realizohet. Fal Cineplexx-it edhe në hymë në rrjetin e kinemave evropiane, si me distribuim si me shfaqje. Cineplexx është pjesë e Kosovës. Qytetarët tash kanë ku të vijnë dhe të shohin premierat botërore. Si në Vjenë, Paris, Londër, Zagreb, Beograd e Prishtinë”, tha Salihu.

E, Betim Humolli nga Albi Group, ka bërë të ditur se të mërkurën më 30 nëntor në ora 18:00, do të bëhet edhe hapja zyrtare e hapësirave të reja të Albi Mall. /Telegrafi/

Exit mobile version