Fadil Demaku do të bëhet deputeti i katërt i Partisë Demokratike të Kosovës, që lë këtë post për shkak të problemeve që ka me ligjin, gjatë dy viteve të kësaj legjislature.
Fadil Demaku ka dorëzuar dorëheqjen nga pozita e deputetit në Kuvendin e Kosovës. Ai këtë vendim e ka marr pasi Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin prej 3 vitesh burgim nën akuzën për kryerjen e krimeve të luftës si pjesëtar i UÇK-së.
Por, përveç Demakut janë edhe tre deputetë tjerë të partisë më të madhe në vend PDK, që për shkak të ngritjes së aktakuzave kanë dhënë dorëheqje nga posti i deputetit, shkruan lajmi.net.
Rrustem Mustafa-Remi dhe Latif Gashi kanë lënë postin e deputetit për shkak se janë dënuar me burg në rastin e quajtur “Grupi i Llapit”, po ashtu nën akuzën për krime lufte ndaj popullsisë civile si udhëheqës të UÇK-së, në zonën e Llapit.
Latif Gashi është dënuar me 6 vjet burg, kurse Rrustem Mustafa me 4.
Azem Syla personalitet me ndikim në PDK është deputeti tjetër që ka lënë postin, për shkak të nisjes së hetimeve si i dyshuar për krim të organizuar, ndërsa Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë edhe ndaj tij.
Të gjithë këta deputetë të PDK-së, në bazë të ligjit dhe rregullores së Kuvendit janë zëvendësuar me deputet të tjerë të cilët kanë qenë në radhë sipas votave të siguruara gjatë zgjedhjeve.
Në vend të Rrustem Mustafës, ulësen e deputetin e ka zënë Bislim Zogaj, kurse Latif Gashi ia ka “liruar” vendin Abdyl Ymerit. Ish-kryetari i Lipjanit, Shkuri Buja ka zëvendësuar Azem Sylën.
Ndërsa, në vend të Fadil Demakut, deputeti më i ri i Kuvendit do të jetë Nehat Baftiu. /Lajmi.net/