Telegrafi

Brenda dy jave nisë ndërtimi i autostradës

“Brenda dy jave do të mbahet ceremonia e vënies së gurthemelit. Dhe, menjëherë duhet të fillojmë në mënyrë që edhe t’i shfrytëzojmë këto ditët e bukura pranverore”, thotë Tara.

Miliarderi i njohur edhe nga revista prestigjioze Forbes, Sinan Tara, është i njohur me diskutimet që po bëhen në Kosovë në lidhje me trasenë e autostradës. Ai, shprehet se, më mirë është që autostrada të ndërtohet pa tunele.

“Mendimi im është se më mirë është të gjendet një zgjidhje e ndërtimit të rrugës pa tunele, sepse, tuneli edhe kushton më shtrenjtë edhe nuk po dihet sakt kostoja. Pra, rruga me tunele është një zgjidhje që përmban rrezikun e ngritjes së çmimit”, ka shpjeguar Tara.

Tara shprehet se makineritë e para do të vijnë nga Shqipëria, pasi është më afër, përderisa, do të sillen edhe të reja nga Turqia.

“Do të sjellim nga Shqipëria menjëherë ato çka mund të sillen, por, normalisht, nuk do t’i sjellim vetëm nga Shqipëria, do të sjellim edhe makina të reja nga Turqia, pastaj, mund të sjellim edhe nga Rumania”.

Ai i vlerëson pozitivisht kushtet e punës dhe të investimit në Kosovë. Për sa i përket terrenit, ai thotë se në Kosovë terreni është më i përshtatshëm se në Shqipëri.

“Në këtë aspect, këtu, është më lehtë. Terreni natyror në Shqipëri ishte shumë i vështirë. Kjo ishte edhe arsyeja pse me mijëra vjet atje nuk është ndërtuar rruga. Çarja e maleve ka qenë shumë e vështirë. Pra, në anën teknike, atje, ka qenë shumë vështirë. Projekti i këtushëm, në aspektin teknik është më i lehtë”.

Tara thotë se rruga do të kushtojë rreth 700 milionë euro. Kur të dalin projektet në detaje, kjo shifër mund të lëviz nga pak, më poshtë ose më lartë. Mirëpo, nuk mendon se do të ketë ndryshime të mëdha. Ndryshe, prejardhja e këtij miliarderi është nga këto troje. Babai i tij, Sarik Tara, ka lindur në Shkup.