Telegrafi

Brenda dasmës Mbretërore në Tiranë, ato që nuk u panë TV: Kush ishte financuesi? (Foto)

Skënder Zogu, kushëriri i parë i mbretit Leka Zogu, ka zbuluar se kush e ka financuar dasmën e princit Leka Zogu me Elia Zaharian.

“Është zoti Julien Roche, i cili bashkë me disa miq të tjerë të familjes mbretërore, kanë sponsorizuar për këtë dasmë. Familja mbretërore nuk i kishte mundësitë financiare që të përballonte këtë dasmë,” thotë ai për gazetën Panorama

Sipas tij, edhe Edi Rama ka organizuar një koktej për ta “Rama na organizoi një koktej. Në zyrën e tij, në godinën e qeverisë. Vizituam Kryeministrinë, sallën e hartave dhe ishte bërë shumë bukur. Edhe ai e vlerësoi dasmën dhe tha se kjo dasmë i dha vendit një imazh shumë pozitiv. Ai falenderoi familjen mbretërore, uroi Princin dhe Princeshën për këtë kurorëzim, falënderoi të huajt nga familjet mbretërore që kishin ardhur në Shqipëri”.

Ndërkohë, Zkënder Zogu ka shpjeguar edhe prania e Mbretëreshës Sofia të Spanjës në këtë dasmë, e cila është komentuar gjatë nga mediat e huaja, pasi Spanja ishte vendi që e detyroi Lekën e Parë të largohet nga ky vend:

“Para gjashtë muajsh në Monako te Princi Albert u bë një takim miqësor, ku ishte i pranishëm Mbreti Juan Carlos dhe Mbretërsha Sofia. Qeveria e Juan Carlos-it e detyroi Lekën e Parë të largohet nga Spanja, për shkak të disa problemve në atë kohë, ishte çështja e Kosovës. Me këtë takim me Princin Leka dhe Elian, Mbreti i Spanjës, Juan Carlos bëri një pajtim me familjen mbretërore shqiptare pas largimit të Lekës së Parë. Nuk ishte një takim zyrtar, por ky ishte qëllimi i këtij takimi në Monako”.

Ndërkohë, revista franceze “Paris Match” ka publikuar një set me fotot më të bukura nga dasma e zhvilluar në Tiranë, si nga ceremonia, por dhe nga darka, foto këto të papublikuara më parë.