Site icon Telegrafi

Brenda “burgut të vdekjes”: Zbulohet vendi ku ISIS kishte torturuar me elektroshok të burgosurit, kurse në mure janë gjetur mesazhe rrëqethëse (Foto/Video)

Në Raqqa janë zbuluar “burgjet e vdekjes” të organizatës terroriste “Shteti Islamik”.

Reporteri  Stuart Ramsay ka vizituar kompleksin në Raqqa, në qytetin kryesor të ISIS-it në Siri, ku “Shteti Islamik” ka mundur të mbajë të mbyllur mijëra të burgosur në të njëjtën kohë, transmeton Telegrafi.

“Në qendër të qytetit Raqqa gjendet stadiumi kryesor në të cilin dikur festoheshin fitoret e futbollit, kurse pas ardhjes së ISIS-it është shndërruar në sinonim të vdekjes. Të paktë janë ata njerëz që janë futur dhe janë larguar të gjallë. Është vendi më rrëqethës që ndonjëherë kam qenë. Një grup ushtarësh më kanë thënë t’i përcjell duke ecur nëpër rrënojat e ndërtesës”, ka deklaruar Ramsay.

Derisa po ecte nëpër një korridor të ngushtë, ushtarët i kishin thënë se është “burgu i vdekjes”. Pjesa e parë ishte dedikuar për femra, por pak metra më poshtë ishte edhe ai për meshkuj. Ka qenë një kompleks gjigant që ka mundur të pranoj nga 500 deri në një mijë të burgosur.

Qelitë e burgjeve janë të madhësive të ndryshme – disa janë të mëdha për grupe të mëdha të burgosurish, të tjerat janë më të vogla, kurse një ishte e veçantë pasi brenda saj torturoheshin me metodat më të egra të burgosurit.

“Këto burgje i kemi zbuluar disa ditë më parë dhe kanë qenë shumë të pasigurtë derisa ecnim. Ushtarët më thoshin që të eci nëpër sipërfaqe të forta dhe të shmangi gropa nëpër dysheme”, ka shtuar ai.

Në muret e disa qelive ishin shkruar porosi të dënuarve, kushtuar familjarëve të tyre, apo më mirë thënë u kanë shkruar lamtumirën e fundit. Një qeli e madhe ishte e rezervuar për militantët e ISIS-it. Aty janë mbajtur të gjithë ata që kanë tentuar të dezertojnë apo t’i ikin luftimeve.

Aty ishin të shkruar emrat e burrave nga vende të ndryshme të botës, por kishte pasur edhe gërvishtje me thonj të Abu Saed al Britania, britanikut i cili ishte pjesë e kësaj organizate. Në mur figuron data 24 shkurt e vitit 2016, dhe kjo tregon më së miri se sa gjatë është mbajtur brenda këtij burgu.

Nuk dihet saktë nëse ka qenë ai, por nëse po, atëherë ai njihej edhe me nofkën Omar Hussein, i cili më herët kishte punuar si rojtar në një market në Siri, kurse në vitin 2014 i është bashkuar ISIS-it. Ekziston mundësia që të ketë vdekur brenda kësaj qelie.

Derisa të burgosurit janë marrë në pyetje dhe torturuar, kjo sipas zyrtarëve të lartë të ISIS-it ishte vetëm fillimi.

Aty ekzistonin edhe dy shtretër të metaltë, ku të burgosurit janë lidhur dhe torturuar me elektroshok. Por, sikur kjo të mos mjaftonte. Aty janë përdorur edhe metoda tjera më brutale. Me pesha të hekurta u është thyer kurrizi dhe më pas janë kthyer në qeli që të pushojnë për disa minuta dhe më pas të tërhiqen zvarrë për të vazhduar torturën deri në vdekje. /Telegrafi/

Exit mobile version