Site icon Telegrafi

Brenda burgut të Shkupit: Maltretime psikike, fizike dhe korrupsion

Foto: Ilustrim

Një i dënuar në burgun e Idrizovës, që ndodhet 13 kilometra nga Shkupi, rrëfen për Radion Evropa e Lirë për gjendjen e rëndë, që sipas tij, mbretëron në këtë burg, që është më i madhi në Maqedoninë e Veriut.

I.A (për shkaqe sigurie nuk deshi të identifikohet, por identiteti i tij është i njohur për redaksinë) rreth 40 vjeç, që po vuan dënimin me 13 vjet burg, thotë se sjellja e punonjësve të burgut është çnjerëzore, ndërsa kushtet ku ata vuajnë dënimin janë katastrofale.

“Gardianët sillen sikur të jenë rrugaçë, sjellja e tyre është katastrofale. Maltretime psikike kemi non stop, kemi edhe raste të sulmeve fizike dhe nuk kemi ku të ankohemi. Edhe mua më ka ndodhur një rast konkret, kam kërkuar ndihmë nga Avokati i Popullit, por as që ka ardhur të më kontaktojë. Pata një problem me një gardian, i cili më sulmoi ndërsa mua më dënuan, më ndërruan vendin, më dërguan në vetmi edhe pse kam probleme shëndetësore”, thotë ky i burgosur, teksa i përshkruan më tej kushtet e qëndrimit në burgje si shumë të rënda, mungesë të gjërat më elementare, ushqim të dobët, por edhe ujë për pije.

Ai thotë se të burgosurit më së rëndi e kanë pasur gjatë pandemisë, pasi nuk u janë ofruar as shërbimet elementare shëndetësore.

“Jemi ankuar, kemi kërkuar ndihmë edhe nga jashtë, por askush nuk na ka marrë në dorë. Ata që kanë dalë pozitivë i kanë mbajtur në dhomat të vetmisë dhe ndonjëherë i kanë ofruar ndonjë paracetamol dhe asgjë tjetër. Ka dashtë Zoti nuk ka pasur viktima, pasi sa i përket mjekëve të burgut, asgjë nuk kanë ndërmarrë”, thotë i burgosuri me inicialet I.A, që po vuan dënimin në burgun e Idrizovës.

Edhe gazetari Tomisllav Kezhalovski, ish i burgosur, rrëfen për Radion Evropa e Lirë gjendjen në burgje, e cila, sipas tij, nuk ka ndryshuar fare që nga periudha kur ai qëndroi në burg në vitin 2013.

“Atje asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket arsimimit apo ngritjes së nivelit profesional të të punësuarve. Ndaj meje pati dhunë psikike nga të punësuarit e burgut edhe pse rasti im kishte marrë përmasa ndërkombëtare. Kur ndaj meje ushtronin dhunë psikike, paramendoni se çfarë mund t’u ndodhë të burgosurve të tjerë. Korrupsioni gjithashtu është i pranishëm.. për të pasur një telefon apo një sistem më të rehatshëm, patjetër që duhet të japësh ryshfet”, thotë Kezhalovski.

Se gjendja në burgjet e Maqedonisë së Veriut, në veçanti në atë të Idrizovës, është e rëndë, flet edhe raporti i fundit i Këshillit të Evropës mbi gjendjen në burgje, i publikuar më 11 maj.

Burgjet në Maqedoninë e Veriut, sipas raportit, janë të mbushura me staf të korruptuar, ndërsa të burgosurit vazhdimisht keqtrajtohen, kurse autoritetet nuk kanë arritur të përmirësojnë mangësitë strukturore brenda sistemit të burgjeve në këtë vend.

“Mangësitë kanë të bëjnë veçanërisht me mungesën e një qasjeje profesionale në menaxhimin e situatave komplekse, menaxhimin dhe performancën e dobët të stafit, nivele të ulëta të personelit, cilësi e dobët e kujdesit shëndetësor të ofruar për të burgosurit, mungesë e regjimit të duhur, dhunë mes të burgosurve, kushte të dobëta materiale dhe korrupsioni endemik i personelit, veçanërisht në burgun e Idrizovës” thuhet në një pjesë të raportit.

Raporti vë në pah praninë e madhe të korrupsionit në mesin e punonjësve të burgut, të cilët trajtojnë të burgosurit kundrejt pagesave të ndryshme për t’i akomoduar në ambiente më të mira.

Për gjendjen e rëndë në burgjet e Maqedonisë së Veriut flitet edhe në raportin e Avokatit të Popullit, por raporti i vitit 2020 flet për ulje të torturës dhe të ankesave për sjellje joprofesionale në burgje.

Raporti flet edhe për aspektet e ushtrimit të dhunës fizike, e cila bazuar në qëndrimet e institucioneve, ka të bëjë “me shkeljen e rendit dhe të disiplinës në institucion ose kur të burgosurit nuk i kanë respektuar apo i kanë kundërshtuar urdhrat e personave zyrtarë”.

Avokati i Popullit, thuhet të raport, ka ndërmarrë masa për hetimin e të gjithë vërejtjeve dhe ankesave të paraqitur për tejkalim të kompetencave të personave zyrtarë.

Avokati i Popullit, Naser Zyberi thotë për Radion Evropa e Lirë se shqetësuese janë kushtet e këqija në burgje.

“Gjendja në burgjet e Maqedonisë së Veriut është e pavolitshme. Ka mungesë të ujit, pastërtisë, higjienës, kualitetit dhe sasisë së ushqimit. Në disa raste ka edhe mungesë të hapësirës për vendosje…Problemi më i theksuar është gjendja me trajtimin shëndetësor të personave të dënuar. Në disa prej burgjeve ekzistojnë ekipe mjekësore, por janë të pamjaftueshme, por në disa prej burgjeve fare nuk ka mjek të punësuar”, thotë Avokati i Popullit, Naser Zyberi.

E pyetur të komentojë kritikat për gjendjen në burgje, Drejtoria e Burgjeve, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, pranon gjendjen e vështirë në burgje, por nuk komenton kritikat për ushtrim dhune ndaj të burgosurve dhe praninë e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të burgjeve.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për problemet me të cilat përballet sistemi i burgjeve dhe me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës së të dënuarve, në kuadër të Projektit të rindërtimit të burgjeve, do të vazhdojmë me ndërtimin e objekteve të reja dhe për këtë qëllim janë siguruar burime financiare në vlerë totale prej rreth 31.8 milionë euro. Duke pasur parasysh dinamikën me të cilën janë ndërtuar ndërtesat e mëparshme, ne presim që të realizojmë plotësisht fazën e dytë, që nënkupton përmirësimin e kushteve për qëndrim në burgun e Idrizovës dhe në burgjet nëpër qytetet tjera”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Drejtorisë së Burgjeve.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pas zgjedhjeve parlamentar në korrik të vitit 2020, kishte premtuar reforma të thella në gjithë vendin, përfshirë edhe përmirësimin e kushteve në burgje dhe luftimin e korrupsionit të evidentuar në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare./REL/

Exit mobile version