Telegrafi

Brenda botës së errët dhe bizare të meshkujve që janë betuar se nuk do të bëjnë seks më me gra

Rregulli i parë i filmit Fight Club ishte që asnjëherë të mos flisni për këtë klub.

Thuajse dy dekada pas lansimit të këtij filmi, dhjetëra mijëra meshkuj e kanë formuar një komunitet online të quajtur MGTOW – që në shqip do të përkthehej “meshkujt që shkojnë rrugës së tyre”, transmeton Telegrafi.

Cili është rregulli i parë i tyre? Braktisja e të gjitha lidhjeve romantike me gratë.

Vetëm në rrjetin social Reddit rreth 15,000 lexues janë abonuar në faqen e tyre – faqe e cila deklaron se është për meshkujt që shkojnë rrugës së tyre duke i krijuar identitetet e tyre unike dhe rrugët drejt suksesit.

Edhe ueb sajte tjera, përfshirë “MGTOW.com” janë të dedikuara për atë që ata e shohin si lufta e çdo mashkulli për sovranitetin e vetvetes dhe, pavarësisht urrejtjes së tyre ndaj grave, as homoseksualiteti nuk është i pranueshëm në komunitetin e tyre.

Disa postime në faqen e tyre në Reddit tregojnë se si duket pak a shumë bota e tyre: Ata brengosen duke filluar nga robotët e ardhshëm të seksit që do të hakohen nga qeveria, e deri tek inkurajimi i meshkujve për t’u ndarë nga gratë. Ata debatojnë edhe rreth mënyrës se si meshkujt në Hollywood keqtrajtohen nga gratë.

Tjerët diskutojnë për meritat e të vizituarit prostitutat dhe për mënyrën se si këngët pop janë propagandë feministe. Aq më shumë që shikoni, aq më e errët bëhet kjo botë.

Vetëm një postim i fundit i përshkruan orgazmat e rrejshme të grave si mënyrë për t’i bërë meshkujt më të nënshtruar.

Mund të thuhet se komuniteti MGTOW është një kundërshtim i feminizmit dhe i cili i sheh të drejtat e grave si disavantazh direkt ndaj meshkujve.

Për ta, meshkujt janë viktimat e lidhjeve heteroseksuale dhe origjina e këtij komuniteti ende mbetet e paqartë. /Telegrafi/