Telegrafi

Hapet Libraria “Dukagjini” me një ambient unik në qendrën më të madhe tregtare “Prishtina Mall”

Në Librarinë “Dukagjini”, më të madhen në vend, brenda “Prishtina Mall”, vizitorët-lexuesit mund të gjejnë mijëra tituj librash.

Me rastin e hapjes së librarisë në këtë qendër tregtare janë ndarë 200 dhurata të personalizuara për klientët e parë që kanë vizituar librarinë.

Ndërkaq, për pesë klientët e parë është ndarë nga një “giftcard” në vlerë prej 20 eurosh. Dhuratat për adhuruesit e librit nuk përfundojnë me kaq, ngase të premten, të shtunën dhe të dielën, “Dukagjini” do të ofrojë zbritje prej 20 për qind në të gjithë titujt.

Libraria e re e “Dukagjinit” ofron një mundësi të jashtëzakonshme kërkimi dhe përmbushjeje për lexuesit e të gjitha moshave dhe tipave.

Botimet “Dukagjini”  zënë vend qendror në librari, e krahas tyre janë librat më të kërkuar aktualisht në vend dhe në botë. “Dukagjini” tashmë është adresa e parë për bestsellerët në shqip, anglisht e gjuhë të tjera.

Enterieri modern jep komoditetin për aktivitete të shumta, përtej blerjes së librit, me synimin që ta bëjë këtë kënd të qendrës së re tregtare një ambient me vlera kulturore e sociale. Tashmë është kthyer në traditë që në librarinë “Dukagjini”, të vegjlit të përjetojnë dhe të shijojnë aktivitete të ndryshme që lidhen me librin. Libraria e re në “Prishtina mall” ka edhe më shumë surpriza për fëmijët.

Aktivitete të shumta leximi, loje e argëtimi do të jenë ftesa që nuk do të mund t’u rezistojë asnjë prind për fëmijët e tyre, duke pasur parasysh hapësirën e madhe të lënë për ta.

Libraria “Dukagjini” është pjesë e korporatës me të njëjtin emër dhe është lider i kulturës së librit në Kosovë.  Ajo ka një traditë gati tridekadëshe në kulturën e librit. Për kaq kohë, libraria “Dukagjini” është kthyer në pikë të rëndësishme reference për identitetin urban të Prishtinës.

E ndodhur në zemër të kryeqytetit, ajo është kthyer jo thjesht në një hapësirë për shitjen e librit, por në një pikëtakim të lexuesve, një arenë aktivitetesh kulturore e sociale dhe një institucion që ngjall dëshirën për librin dhe vlerat. Pika e re në “Prishtina Mall” s’ka se si të jetë ndryshe, pos një replikë e këtyre vlerave identitare.