Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se, nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës.
Përkundër marrëveshjeve të arritura, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisen me viza për të lëvizur në vendet respektive.
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, ka theksuar se është lajm shumë i mirë që Kosova ka vendosur të heqë vizat në mënyrë të njëanshme ndaj qytetarëve të Bosnjës, duke dhënë kështu një shembull të lëvizjes pozitive drejt ndërtimit të urave të bashkëpunimit.
“Me kënaqësi kemi dëgjuar nga Kryeministri kosovar që Kosova në mënyrë unaliterale ka vendosur të heqë vizat për qytetarët e Bosnjës. Ky është një sinjal i mirë që duhet të lëvizë edhe vendimmarrja në Bosnje, sa i përket zbatimit të njërës prej marrëveshjeve që është firmosur e nuk është zbatur deri më tani. Procesi i Berlinit ka mbajtur gjallë frymën dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, kur zgjerimi ishte thuajse fjalë e ndaluar dhe shumë e dëshiruar”, ka thënë Bregu.
Ndërkaq, pos kësaj, liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan një fazë të re të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025 – 2028 (CRM 2.0), ndërsa vlerësuar punën e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe partnerëve në përgatitjen e dokumentit, në Samitin që shënoi edhe 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, mbajtur sot në kryeqytetin gjerman.
Liderët gjithashtu nënshkruan Marrëveshjen për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranimin për Studim në Ballkanin Perëndimor, si dhe miratuan Deklaratën për Qasjen dhe Bashkëpunimin në Infrastrukturën e Kërkimit dhe Inovacionit, e po ashtu edhe Deklaratën mbi Standardet e Shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte Rajonale.
“Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan sot planin që do të respektojnë për 4 vitet e ardhshme – faza e dytë e Tregut të Përbashkët Rajonal është një plan për rritje të qëndrueshme. Ai është një kuadër unifikues i bashkëpunimit rajonal për mirëqenien e përbashkët ose interesat e përbashkëta në lojën globale. Në të gjitha fushat–digjitalizimi, tregtia, investimet, inovacioni, politikat e gjelbërta etj – që filluan të bëhen të dukshme gjatë fazës së parë të CRM, puna për integrimin ekonomik rajonal përmes planit CRM të nënshkruar sot, ankorohet fort në Planin e Rritjes së BE-së,” tha në Samit Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu./Telegrafi/