Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, Majlinda Bregu gjatë një vizite pune në Shkup ofroi gatishmëri për të ndihmuar në çdo mënyrë dhe formë Maqedoninë në proceset e rëndësishme që e presin. Ndër të tjera Bregu përmendi edhe marrëveshjen e njohjes së ndërsjelltë të titujve shkencorë dhe diplomave.
“Sot kemi filluar raundin e dytë të bisedimeve për katër profesione të mjekëve,të dentistëve të arkitektëve dhe të inxhinierëve që do të thotë ndryshe ky është një mesazh shumë i mirë për qytetarët nëse marrëveshja do të arrihet, që do të thotë për studentë për të rinj që mbarojnë dhe kanë një diplomë në Shkup, kjo diplomë do të jetë nesër e njësuar dhe me të njëjtën vlerë për të punuar në Tiranë apo në një qytet tjetër në rajon”, tha Majlinda Bregu, Këshilli Rajonal Për Bashkëpunim.
Ndërkohë zv. kryeministri Bujar Osmani tha se Maqedonia do të jetë një vend i përkushtuar në mbështetjen e këtij Këshillit për t’i arritur qëllimet e bashkëpunimit rajonal që janë parakusht për zhvillimin rajonal në Evropën Juglindore dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Maqedonia po bëhet vendi i vetëm në rajon i cili nuk ka asnjë çështje të hapur bilaterale me fqinjët dhe po bëhet shembull edhe për vendet e tjera se si mbyllen temat dhe dallimet historike. Këto janë parakushte të rëndësishme të një integrimi më të mirë rajonal qoftë në temat e konektivitetit në integrimin e tregjeve në krijimin e hapësirave më dinamike investuese, në agjendën digjitale apo në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, u shpreh Bujar Osmani, zv. kryeministër për Çështje Evropiane.
Këshilltarja Bregu gjatë takimit theksoi edhe rëndësinë e votimit të ndryshimeve kushtetuese për çështjen e emrit në Kuvend duke shpresuar që procesi të përfundojë sa më shpejt edhe tek pala greke./Tv21/