Poeti zviceran Beat Brechbuhl është fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri”, në edicionin e 22-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, “Ditët e Naimit” në Tetovë.
Ky është vendimi i Jurisë së Festivalit i përbërë nga studiuesi i letërsisë, Ymer Çiraku, poeti dhe kritiku Ndue Ukaj, dhe poeti Isuf Sherifi.
Brechbuhl është autor i një vargu të gjatë veprash letrare, të cilat deri më sot përmbledhin 22 vëllime në poezi, romane, tregime, si dhe libra për fëmijë. Veprat e tij janë botuar në shumë gjuhë të botës.
Ky çmim vjen pas propozimit të anëtarit të jurisë, Isuf Sherifiri, i cili e ka njohur prej kohësh shkrimtarin zviceran. Sherifi e quan Brechbuhlin si “mohikani i fundit i lirikës në Zvicrën lindore.”
Në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, “Ditët e Naimit”, kanë marrë pjesë edhe: Gerry van der Linden (Holandë), Kristian Guttesen (Islandë), Gloria Sofia (Portugali), Elizabeth (Malta), Marisol Bohoruez (Kolumbi), Eliza Segiet (Poloni), Licilla Trapazo (Zvicër), Rokiah Hashi (Malajzi), Primozh Repar (Slloveni), Natalia Trevino (SHBA), Moan Shalaba (Izrael), Gema Bocardo (Spanjë), Jon Hoyer (Danimarkë), Giuseppe Napolitano (Itali), Noah Avala (Porto Riko), Silke Liria Blumbach (Gjermani), Elena Prenxhova dhe Slagjana Bojanovska (Maqedoni), Erina Çoku, Ylli Çela dhe Arjan Kallço (Shqipëri), Brahim Avdili dhe Ndue Ukaj (Kosovë), Bardhyl Zaimi dhe Remzi Salihu (Maqedoni).