Site icon Telegrafi

Breca kërkon nga Plisat që ta ruajnë qetësinë

Në vazhdim po ua përcjellim komunikatën e Fahriut siç e ka postuar ai në profilin e tij në Facebook.

“Të nderuar Plisa,

Ju shkruaj hapur juve pasi që e di qe fjalët e mija të drejtuara ndaj jush nuk do të hasin në vesh të shurdhër sepse ju jeni njerëz të fjalës dhe besës.

Pas pritjes tashmë të njohur që na bënë në Pejë dhe akuzave të pabaza nga ana e tyre, u detyrova të ju drejtohem juve dhe që të kërkoj nga ju që të ruani qetësinë dhe të vazhdoni të na përkrahni ashtu siç keni bërë gjithmonë. Të ju tregojmë të gjithëve se si përkrahet skuadra, të ju tregojmë të gjithëve se dashuria ndaj klubit i tejkalon interesat, qëllimet dhe problemet individuale.

Para nesh i kemi edhe disa lojë tjera me rëndësi. Bordi i klubit tonë i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe ka krijuar të gjitha kushtet që ne të paraqitemi më së miri. Sezonën e ardhshme do të garojmë në Balkan League, pra do të jemi si gjithmonë një hap para të gjitha skuadrave të tjera.

Të dashur Plisa,

Ju e dini që gjithmonë ndeshjet i kemi fituar në parket, në vendin ku ne jemi shpallur kampionë në basketboll dhe ju për tifozëri të Kosovës. Të dielën ne vetëm e vazhdojmë këtë traditë dhe kulturë të pastër, duke fituar vetëm në parket – me djersë dhe meritë!

Më të dashurit e mi, Plisa,

Ju ftoj të gjithëve që të dielën të vini në numër sa më të madh dhe të na përkrahni ashtu siç e keni bërë gjithmonë, kurse për fitore do të përkujdesemi ne!

Ne jemi djemtë e Prishtinës, ne jemi krenaria e këtij qyteti dhe ne gjithmonë kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi shembull për të tjerët!

GJITHMONË PAS TEJE, PRISHTINË!

Fahri Breca”

/Telegrafi/ 

Exit mobile version