Brazili ka shpallur një emergjencë gjashtëmujore për shëndetin e kafshëve pasi u gjetën disa raste të gripit të shpendëve te shpendët e egër.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shtatë raste janë raportuar në shtetin Espirito Santo, me një tjetër të zbuluar në shtetin Rio de Zhaneiro.
Deklarimi i gjendjes emergjente e bën më të lehtë për qeverinë që tani të marrë masa për të ndaluar përhapjen e virusit shumë infektiv H5N1.
Brazili është eksportuesi më i madh në botë i mishit të pulës, me shitje vjetore prej afro 10 miliardë dollarë.
Autoritetet thonë se rastet u gjetën shumë larg nga zonat kryesore të prodhimit të Brazilit në jug të vendit.
Megjithatë, ndonjëherë janë vërejtur shpërthime në tufat komerciale gjetkë që pasojnë zbulimin e rasteve të gripit të shpendëve te shpendët e egër.
Gjetja e një rasti në një fermë shpesh shkakton një vrasje të një numri të madh zogjsh – dhe ndonjëherë mund të nxisë kufizime tregtare nga vendet e tjera.
Emergjenca shëndetësore është shpallur në të gjithë vendin për 180 ditët e ardhshme si masë paraprake.
Bota ka kaluar nëpër shpërthimin e saj më të keq ndonjëherë të gripit të shpendëve që nga tetori i vitit 2021, duke shkaktuar vdekjen e më shumë zogjve të egër se kurrë më parë. Disa gjitarë po infektohen gjithashtu nga kjo sëmundje.
Shkencëtarët mbeten të pasigurt pse ky shpërthim po rezulton shumë më i keq se të tjerët, por Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) ka raportuar “ndikime shkatërruese në shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve”.
E Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se përhapja e mëtejshme e virusit H5N1 do të duhet të monitorohet nga afër për të parë nëse ai po ndryshon në një formë që mund të përhapet te njerëzit. /Telegrafi/