Telegrafi

Brazili ‘eliminon’ Italinë

Në ndeshjen tjetër të grupit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mposhtur befasisht Egjiptin me rezultat 3-0, duke siguruar kështu biletën për në gjysmëfinalen e Kupës së Konfederatave.

Brazil – Itali

Brazil ka shkëlqyer edhe në ndeshjen e tretë të Kupës së Konfederatave, duke mposhtur kampionin e botës me rezultat të thellë, 3-0, që të tre golat e shënuar në pjesën e parë.

Sulmuesi i Sevillas, Luis Fabiano, shënoi dy gola për Brazilin (37’ dhe 43’), derisa një gol tjetër erdhi ‘dhuratë’ për brazilianët nga mbrojtësi italian Andrea Dossena, i cili shënoi në rrjetën e gabuar (45’).

Pavarësisht fitores së Brazilit, është Italia ajo që dominon në lajmin, pasi përfundon në pozitën e tretë të grupit dhe eliminohet nga gara e mëtejmë.

SHBA – Egjipti

Pas dy humbjeve radhazi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar fitoren e parë dhe më vendimtaren, e cila e kualifikon këtë kombëtare për në gjysmëfinale të garës.

Duke ditur se vetëm një fitore e thellë do të mund t’i shpëtonte nga eliminimi, ekipi i trajnerit Bob Bradley bëri saktësisht atë që duhej, mposhti favoritin, Egjiptin, me rezultat 3-0.

SHBA-të kontrolluan gjithë pjesën e parë, por shënuan vetëm një gol, përmes Charlie Davies në minutën e 21-të.

Pjesa e dytë e ndeshjes solli dy gola të tjerë. Djali i trajnerit Michael Bradley dyfishoi rezultatin në minutën e 63-të, para se një gol tjetër me kokë nga Clint Dempsey tetë minuta më vonë, t’ua sigurojë kualifikimin e mëtejmë SHBA-ve.

Brazili kryeson grupin me pikë të plota, nëntë nga tre ndeshje. SHBA-të mbajnë pozitën e dytë me tre pikë, sa kanë edhe dy ekipet tjera, Italia dhe Egjipti, por që amerikanët kualifikohen për në gjysmëfinale falë diferencës më pozitive të golave.

Brazili në gjysmëfinale do të takohet me nikoqirin e kësaj gare, Afrikën e Jugut, ndërsa SHBA do të ndeshet me kampionin e Evropës, Spanjën.