Site icon Telegrafi

Brazil, Senati autorizon gjykimin e presidentes së pezulluar Rousseff

Senati i Brazilit miratoi zhvillimin e gjyqit për presidenten e pezulluar të vendit, Dilma Rousseff, e cila akuzohet se ka shkelur ligjin e buxhetit. Pas një seance maratonë, me 59 vota pro dhe 21 kundër, Senati i hapi rrugën gjykimit të Rousseff.

Ishte po ky organizëm, ai që pezulloi presidenten Rousseff në maj të këtij viti, pas akuzave për praktika ilegale kontabiliteti. Vetë Rousseff thotë se praktika të tilla ishin të zakonshme gjatë administratave të kaluara.

Senatit i duhej një shumicë e thjeshtë për të vendosur për gjykimin e Rousseff, por fakti që shumica e senatorëve votuan për këtë, tregon se rivalët e Rousseff janë të shumtë. Në votimin përfundimtar pas gjyqit, që zhvillohet po nga Senati, do të nevojitet një votim me dy të tretat.

Rousseff akuzohet se ka shpenzuar parà pa miratimin e Kongresit dhe ka marrë borxhe të paautorizuara nga bankat shtetërore për të rritur buxhetin kombëtar para zgjedhjeve të vitit 2014, në të cilat ajo u rizgjodh.

Ndërkohë, aleatët e saj në Partinë e Punëtorëve kanë nënvizuar se shumë anëtarë të Kongresit brazilianë që akuzojnë Rousseffin janë vet të përfshirë në çështje korrupsioni. Rousseff nuk akuzohet për korrupsion në skandalin e kompanisë shtetërore të naftës “Petrobras”, por ky skandal e ka dëmtuar rëndë, pasi ka përfshirë shumë anëtarë të partisë së saj.

Nëse gjyqi do ta shkarkojë nga detyra, presidenti i përkohshëm Michel Temer do të ushtrojë detyrën deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018. Rousseff e ka akuzuar atë se orkestroi një “grusht shteti” politik ndaj saj. /tch/

Exit mobile version