Site icon Telegrafi

Brazil, nga epidemia e etheve të verdha të paktën 51 të vdekur

 

 

Të paktën 51 persona kanë vdekur nga epidemia e sëmundjes së rrezikshme të etheve të verdha në Brazil.

Ministria e Shëndetësisë e Brazilit deklaroi se në 24 orët e fundit kanë vdekur dy persona të prekur nga ethet e verdha në rajonin Minas Gerais, dhe tre persona në Sao Paulo, me çka bilanci i të vdekurve në ditët e fundit është rritur në 51 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratë thuhet se ethet e verdha deri më tani janë regjistruar në 80 zona të populluara në Brazil, duke përfshirë 55 vendbanime në krahinën Minas Gerais.

Ministria e Shëndetësisë në provincën braziliane Minas Gerais gjithashtu ka njoftuar se në rajon deri më tani nga ethet e verdha kanë vdekur 44 persona.

Në këtë rajon deri më tani nga kjo sëmundje e rrezikshme janë diagnostikuar te 126 pacientë, dhe 584 persona të tjerë me simptoma të ngjashme janë shtruar në spital të cilët i janë nënshtruar kontrolleve.

Epidemia e etheve të verdha ka goditur edhe krahinën Espirito Santo, ku deri më tani janë diagnostikuar te 37 pacientë, nga të cilët një person ka vdekur.  Po ashtu edhe në Sao Paulo, kanë vdekur të paktën gjashtë persona të infektuar me ethet e verdha, dhe 17 pacientë të tjerë janë shtruar në spital.

Në kuadër të luftës kundër etheve të verdha, autoritetet braziliane në rajone të rrezikshme kanë dërguar 5.5 milionë doza të vaksinës, dhe së shpejti priten edhe gjashtë milionë vaksina të tjera.

Ethet e verdha janë një sëmundje e rëndë akute virale të cilat barten nga mushkonjat, rriqrat dhe parazitë të tjerë.

Për shkak të dëmtimit të enëve të vogla të gjakut dhe çrregullimeve të koagulimit, sëmundja çon në gjakderdhje në organe, ndërsa quhet “e verdhë” pasi që te një numër i caktuar i pacientëve paraqitet verdhëza.

Infeksioni i cili është i vështirë të diagnostikohet në fazat e hershme të paraqitjes, kryesisht kërcënon me përhapjen në Afrikë dhe Amerikën e Jugut. Rritja e temperaturës trupore, dhimbje të muskujve, plogështim, etj, janë vetëm disa nga simptomat standarde që paraqiten tek pacientët e infektuar.  Imunizimi aktiv ose vaksinimi kundër etheve të verdha është në dispozicion për gati 70 vjet, dhe ka merita për uljen e ndjeshme të përhapjes së sëmundjes.

Megjithatë, ethet e verdha janë sëmundje shumë e rrezikshme dhe potencialisht vdekjeprurëse, për çka Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon që çdo vend i rrezikuar nga kjo sëmundje të ketë të paktën një laborator kombëtar, ku mund të kryejnë testet themelore.

Exit mobile version