“Kundërbota e Branko Merxhanit”, titullohet ekspozita e çelur nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë kushtuar njërës prej figurave më interesante, e në shumë aspekte më aktuale të mendimit dhe të publicistikës shqiptare.
Ekspozita rindërton rrugëtimin e veprimtarisë 16-vjeçare të Merxhanit në Shqipëri, gjatë të cilit ai u bë një ndër figurat më ndikuese në botën kulturore shqiptare. Rrugëtimi fillon, natyrisht, me shkrimet e tij të para në gazetën “Demokratia”, të botuar në Gjirokastër, duke filluar nga viti 1927.
Në këtë gazetë, Branko Merxhani botoi disa prej shkrimeve më të rëndësishme. Së bashku me mikun Vangjel Koça, kishin aty një faqe të vetën të titulluar “Lëvizja mendore”, në të cilën hodhën tezat e para të “Neoshqiptarizmës”, doktrinës së tyre për daljen e Shqipërisë nga varfëria dhe prapambetja e skajshme shekullore, nëpërmjet kulturës, arsimimit dhe emancipimit shoqëror.
Ekspozita pasqyron veprimtarinë e tij në disa prej organeve më të rëndësishme të shtypit të kohës, si te të përmuajshmet “Illyria” dhe “Minerva”, apo te “Koha e re”, e drejtuar nga Petro Marko. Por, emri i Branko Merxhanit lidhet, para së gjithash, me revistën e përmuajshme “Përpjekja Shqiptare”, të botuar prej tij nga viti 1936 deri në vitin 1939, vit ky kur ai largohet nga Shqipëria, pas pushtimit italian, për të mos u kthyer më kurrë. Kjo revistë famëmadhe ishte, pa dyshim, organi më me ndikim në botën intelektuale të asaj kohe.
E veçanta e kësaj ekspozite është përfshirja në të e një sërë materialesh arkivore origjinale, në saje të bashkëpunimit me Arkivin e Shtetit. Po ashtu, në të ekspozohet dorëshkrimi i një drame të tij të pabotuar.
Gjatë ekspozitës u shfaq një dokumentar i shkurtër kushtuar figurës dhe veprës së Branko Merxhanit.
Merxhani nuk është thjesht një figurë muzeale. Përkundrazi, shumë prej shkrimeve, analizave dhe tezave të tij tingëllojnë ende sot mjaft aktuale. /ata/