Site icon Telegrafi

Braktisja e Shqipërisë alarmon sociologët, të rinjtë thonë se duan jetë më të mirë (Video)

Viti 2018 shënoi një numër rekord të aplikimeve nga Shqipëria për lotarinë amerikane.

Të dhënat e Departamentit Amerikan të shtetit flasin për 367 mijë shqiptarë që kërkuan të largohen nga vendi, gati 3 herë më shumë se një vit më parë. Sipas sociologëve këto shifra janë alarmuese.

“Natyrisht shifra është shqetësuese dhe janë dy konkluzione që mund të nxjerrësh. Një, shqiptarët janë të shqetësuar për të tashmen dhe të ardhme e tyre, dhe dy është tregues i faktit që duhet të përshpejtohen reformat që mund të ndikojnë në zbutjen e fenomenit”, thotë sociologu Gëzim Tushi.

Dëshira e shqiptarëve për t’u larguar ka disa faktorë kryesorë.

“Shkaqet dhe kushtet që ndihmojnë këtë emigracion të vonuar ka faktorë të jashtëm dhe brendshëm, procesi i globalizimit ka krijuar idenë që tregu i punës dhe vendet ku mund të jetojnë janë të lira, dhe faktori i jashtëm është ndikimi i Perëndimit mbi vendin tonë. Faktorë të brendshëm ka shumë; niveli i lartë i papunësisë, cilësia e ulët e jetës akoma, niveli i lartë i krimit dhe shfaqjeve që cenojnë standardin e jetesës”, shprehet më tej Tushi.

Në një kohë kur popullsia shqiptare po tkurret, duke rritur numrin e pensionistëve dhe ulur atë të lindjes, për sociologët largimet bëhen edhe më shqetësuese për shoqërinë, pasi grupmosha që po largohet është kryesisht ajo aktive për punë./Tv Klan

Exit mobile version