Jack Rico (15) u bë personi më i ri që ka diplomuar ndonjëherë në Universitetin e Nevadës në Las Vegas.
Rico mori diplomën e re universitare gjatë javës së kaluar, të cilën ia shtoi diplomave që kishte tashmë nga Universiteti Fullerton, të cilin e përfundoi në moshën 13-vjeçare dhe ku është gjithashtu personi më i ri që ndonjëherë ka diplomuar.
Ai ka theksuar se “studentët dhe profesorët e tjerë të fakultetit e kanë pranuar shumë mirë” dhe se nuk e kanë trajtuar si fëmijë.
Jack tani ka mbaruar studimet e historisë dhe ende nuk është i sigurt se për cilën fushë do të vendosë në studimet e tij pasuniversitare.
Është interesant fakti se adoleshenti e braktisi shkollën fillore gjersa ishte në klasën e tretë. Ai arriti rezultate mbi mesataren në testet e inteligjencës shkollore, por disa lëndë thjesht “nuk i flinin në zemër”. Më pas prindërit vendosën ta edukojnë në shtëpi.
Nëna e tij, Ru Andrade thotë se që në moshë të re ai shfaqte shenja të inteligjencës së lartë. Për ditëlindjen e katërt, ai dëshironte të vizitonte Shtëpinë e Bardhë.
Prindërit i thanë se do të mundte, nëse do t’i mësonte përmendësh emrat e të gjithë presidentëve amerikanë. Rico e bëri këtë ndërsa gjatë rrugës për në Uashington – mësoi edhe emrat e të gjithë nënkryetarëve – për çdo rast.
Përveçse ka mbaruar tashmë dy kolegje, Rico thotë se nuk dallon asgjë prej adoleshentëve të tjerë.
“Ai është një budalla i vërtetë kur bëhet fjalë për video-lojërat”, bëri shaka nëna e tij dhe shtoi se Jack ka edhe një motër me autizëm për të cilën kujdeset gjithmonë dhe se “gjëja më e mirë për të është zemra e tij”. /Telegrafi/