Site icon Telegrafi

Brahimaj: Haradinaj është numër një në listën e INTERPOLIT, Qeveria e negocioi listën

Institucione shtetërore të Kosovës kanë pasur njohuri të sakta se kush është pjesë e listës së INTERPOLIT, mirëpo nuk u kanë treguar partive politike e as deputetëve. Kështu ka deklaruar Lahi Brahimaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Brahimaj ka thënë se këto institucione gjithashtu e kanë ditur se nga lista e INTEPORLIT janë larguar 137 persona, nga 157 sa ishin gjithsej dhe në listë tashmë janë vetëm 20 persona.

“Këtë gjë e ka konfirmuar përmes një interviste tre javë para se të arrestohej Haradinaj, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa. I pari në listën e 20 perosnave tash është Ramush Haradinaj”, ka thënë Brahimaj, i cili ka pohuar gjithashtu se ai dhe partia e tij tashmë e posedojnë këtë listë.

Brahimaj tha se në debatin e Kuvendit të Kosovës për rezolutën e AAK-së për lirimin e Ramush Haradinajt të gjithë deputetët pajtoheshin me të gjitha pikat që kishte rezoluta.

“Gjatë gjithë debatit asnjë deputet nuk kishte kundërshtuar asnjë nga pikat që kishte rezoluta e AAK-së, mirëpo ajo nuk u votua. Kjo ngase Salih Morina nga LDK dhe Zenun Pajaziti nga PDK u kanë bërë presion të gjithë deputetëve të tyre që mos ta votojnë këtë rezolutë”, tha Brahimaj, në emisionin “Republika” në Tribuna Channel.

Ai ka treguar gjithashtu se seanca për këtë rezolutë ishte paraparë të bëhej më herët por ishte shtyrë vetëm për shkak të festës, që sipas tij është konsideruar më e rëndësishme, sesa senaca për Haradinajn./Tribuna/

Exit mobile version