Telegrafi

Brad Pitt imiton doktorin e famshëm amerikan Anthony Fauci

(Foto: Screenshot/SNL)

Nëse ndonjë aktor do të më imitonte në emisionin ‘Saturday Night Live’, do të doja të ishte Brad Pitti – kështu kishte thënë eksperti me reputacion të madh në SHBA për sëmundjet infektive, Anthony Fauci, duke bërë shaka.

Mirëpo, kjo dëshirë tashmë i është plotësuar. Aktori hollivudian e ka imituar doktorin e famshëm në programin e të shtunës mbrëma.

Duke e imituar Faucin, Pitt është munduar që ta zbutë situatën përmes shakave, në ndërkohë e ka bërë të qartë se janë përhapur shumë dezinformata në publik në lidhje me coronavirusin.

(Foto: Drew Angerer/Getty Images/Guliver)

Gjatë fjalimit të tij nuk ka mundur të mos ishte në fokus presidenti amerikan, Donald Trump dhe deklaratat e tij lidhur me pandeminë.

Pas imitimit të një prej figurave më të besueshme mjekësore në Shtetet e Bashkuara, aktori e ka hequr parukën dhe syzet dhe i ka dërguar një mesazh doktorit të vërtetë.

“Faleminderit për qetësimin dhe qartësinë në këtë periudhë jo të qetë. Njëherësh, faleminderit punëtorëve mjekësore, mjekëve dhe familjeve të tyre, që janë në vijë të parë të mbrojtjes kundër coronavirusit”, ka thënë Pitt. /Telegrafi/