Zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, zëvendëskryeministri Erion Braçe e quan rrëmbimin, torturimin, si dhe krimin më të madh të regjimit të Sali Berishës.
Një reagim në rrjetet sociale, akuzat për Berishën i vijon duke përmendur sipas tij edhe një zinxhir hapash kriminale, si vrasja e katër qytetarëve në Bulevard dhe Gërdecin.
“Rrëmbimi, torturimi, vrasja, zhdukja e Remzi Hoxhës është krimi më i madh shtetëror i regjimit të Sali Berishës! Nuk ka ndodhur me kënd ky zinxhir hapash kriminale. Ai regjim vrau nga frika 4 qytetare paqësore ne Bulevard, por trupat e tyre nuk u zhdukën; Ai regjim vrau për korrupsion 26 qytetarë, punëtore në Gërdec, por trupat e tyre nuk u zhdukën”, ka reaguar Braçe, përcjell TCH.
Pas 25 vjet kërkimi, familja e Remzi Hoxhës ka vendosur të ndërpresë kërkimet për biznesmenin e zhdukur.
Djali i tij, Ardian Hoxha tha se në përvjetorin e ardhshëm do t’i bëjnë të atit një varr të hapur dhe një memorial ku do të mund ta vizitojnë dhe të vendosin lule.
Biznesmeni Remzi Hoxha më 21 tetor 1995 ishte rrëmbyer në vendin e tij të punës në Shqipëri dhe zhdukja e tij paraqet një nga ngjarjet më misterioze në vitet e demokracisë së shtetit shqiptar. /Telegrafi/