Site icon Telegrafi

Braathu: UP-ja, institucioni kyç për ndryshime pozitive në Kosovë

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, ka pritur sot në takim shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Jan Braathu.

Në njoftimin për media të Rektoratit thuhet se Dema e njoftoi ambasadorin Braathu me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, misionin dhe vizionin e këtij institucioni, si dhe komfor tyre, u diskutua për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit në mes të UPHP-së dhe misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Për rreth dy vite kemi arritur të implementojmë standarde të cilat mundësojnë qasje të barabartë për të gjithë, në të gjitha aspektet e funksionimi të Universitetit të Prishtinës. Njëherësh, kemi hapur disa qendra dhe zyre të reja, i kemi rifunksionalizuar shumë sosh të themeluara më parë, të gjitha në kuadër të rrugëtimit tonë drejt sigurimit të një ambienti sa më cilësor të mësimdhënies dhe mësimnxënies në Universitetin tonë”, tha rektori Dema.

Ndërsa, siç thuhet në njoftim ambasadori Braathu tha se UP-ja është institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin.

“Universiteti i Prishtinës është institucioni kyç nga i cili mund të lindin ndryshimet pozitive në Kosovë. UP-ja është institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin”, tha Braathu. /Telegrafi/

Exit mobile version