Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti në një konferencë për media ka bërë të ditur se pavarësisht situatës me pandeminë, sektori bankar është stabil, likuid, mirë i kapitalizuar dhe me afarizëm pozitiv.
Mehmeti tutje ka thënë se Kosova do të ketë rënie ekonomike prej 7.2 për qind në vitin 2020.
“Parashikimet e BQK-së janë që ekonomia e Kosovës për vitin 2020 do të shënojë rënie prej 7.2%. Shkaktarët lidhen me masat e ndërmarra që ndikuan negativisht në nivelin e investimeve. Një prej faktorëve që ka ndikuar në uljen e kërkesave agregate është rënia e vizitave nga diaspora”, tha Mehmeti.
Mehmeti ka thënë se dërgesat nga diaspora këtë vit kanë shënuar rritje.
“643 milionë janë në këtë vit, kurse në vitin e kaluar remitancat kanë qenë 608.6 milionë euro”, u shpreh Mehmeti.
Ai nuk ka komentuar çështjen e 2 milionëshit që ka ndodhur në Thesarin e Shtetit, duke thënë se kjo është punë e ministrisë.
Mehmeti tha se çdo ditë vonesë për miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ka pasoja të mëdha.
“Është shqetësuese mos miratimi i planit të rimëkëmbjes ekonomike”, theksoi Mehmeti. /Telegrafi/