Site icon Telegrafi

Zeka: Remitencat e diasporës, shtyllë e paqëdrueshme e ekonomisë

Përkundër që pandemia ka shkaktuar rënie ekonomike në gjithë botën, diaspora nuk i ndali dërgesat e parave në Kosovë.

Madje në gjashtë muajt e parë të vitit pati 28 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.

Në një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjinin nga Banka Qendrore e Kosovës kanë treguar se që nga marsi kur filloi pandemia deri në qershor diaspora dërgoi në Kosovë më shumë se 300 milion euro.

Për drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ky është një lajm i mirë në një kohë kur pandemia ka dëmtuar ekonominë e Kosovës.

“Ne në Odën Amerikane megjithatë besojmë se kjo ka të bëjë me faktin se pas ndalimit të udhëtimit për në Kosovë të qytetarëve të diasporës ku ata jetojnë, janë gjetur mekanizma më formal për dërgimin e të hollave ose pagesave në Kosovë”, deklaroi Arian Zeka, përcjell Telegrafi.

Ai megjithatë thotë se remitencat janë shtyllë e paqëndrueshme e ekonomisë dhe se sipas tij vendi duhet të fokusohet në investimet e brendshme dhe të jashtme.

“Njëra nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë janë dërgesat nga diaspora por në të njëjtën kohë është një shtyllë e paqëndrueshme pasi që vendi do të duhej të fokusohej edhe në nxitjen e investimet e brendshme dhe të jashtme dhe të largonte varësinë nga remitencat”, deklaroi më tej Zeka.

Eksperët thonë se një problematikë tjetër është edhe vonesa e shtetit për t’iu dalë në ndihmë bizneseve./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version