Rritja e çmimit për shërbime nga ana e bankave të cilat veprojnë në Kosovë ka bërë që të ketë ankesa të shumta nga qytetarët.
Kjo rritje e çmimit për shërbime ka bërë që Banka Qendrore e Kosovës (BQK), së shpejti të fillojë një hetim ndaj tyre.
Ushtruesi i Detyrës së Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti gjatë një interviste në studion e Telegrafit ka thënë se së shpejti do të fillojë ekzaminimi i bankave për shtrenjtimin e shërbimeve.
“Kemi pasur raste kur bankat nuk veprojnë konform Rregullativës në fuqi. Si BQK jemi në ekzaminim të të gjitha bankave, në fokus e kemi këtë aspekt, shumë shpejt do të ekzaminohen bankat për çdo tarifë e cila duhet të jetë e lidhur me koston”, tha Mehmeti.
Ai ka paralajmëruar marrjen e masave ndaj bankave, nëse tarifat e çmimeve nuk përputhën me shërbimet.
“Është ekonomi e hapur e tregut, duhet ta kemi parasysh këtë fakt, çdo tarifë duhet ta llogarisim me koston që e ka për atë shërbim, nëse vërehet se kanë bërë shkelje të rregullativës, do të marrim masa”, ka thënë Mehmeti.
Por qytetarët shërbimet e pagesave të ndryshme mund t’i kryejnë me çmime më të lira në institucionet financiare jobankare. /Telegrafi/