Site icon Telegrafi

BQK pa portofolio dhe konvertim të arit

Ani pse është e rregulluar ligjërisht, në bankat komerciale në Kosovë nuk ka shërbime për konvertimin e arit apo floririt dhe për metalet e tjera të çmueshme, përderisa në vendet e rajonit dhe të BE-së një gjë e tillë ndodhë dhe ka ndikim pozitiv edhe në zhvillimin ekonomik në ato vende.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti thekson se nuk ka pasur deri më tash kërkesa për konvertim të arit apo floririt, por siç thotë ai, në rast se paraqitet nevoja, kjo çështje veç është e rregulluar me ligj.

Edhe në Shoqatën e Bankave thonë se deri tani nga qytetarët e Kosovës nuk ka pasur kërkesa të mjaftueshme për operim me këtë aktivitet dhe si rrjedhojë bankat ende nuk kanë investuar për të ofruar këtë shërbim.

“Ne me ligj, neni 15 të Ligjit të Bankës Qendrore të Kosovës flitet për menaxhimin me rezerva ndërkombëtare dhe specifikisht e kemi paragrafin 2 të këtij ligji ku thotë se Banka Qendrore mund të mbajë në portofolion e saj rezerva ndërkombëtare ndonjë apo të gjitha asetet duke përfshirë arin dhe metalet e tjera të çmueshme. Pra, kjo çështje është e rregulluar me ligj dhe Banka Qendrore mund të mbajë dhe mban nëse veç paraqitet nevoja në portofolion edhe metale siç është ari. Nuk ka pasur deri më tash kërkesa, por në rast se paraqitet, kjo çështje është e rregulluar me ligj, e lejuar dhe mund të mbahet. Mund të mbahen dhe çështjet rezervë të arit”, thotë Mehmeti.

Ndërsa, shton se po të kishte portofolio dhe konvertim të arit, padyshim se kjo veprimtari do të ishte në dobi të zhvillimit ekonomik.

“Me siguri që po, kjo do të ndikonte( në zhvillimin ekonomik), por deri më tani nuk kemi pasur kërkesa të tilla dhe më pastaj unë po besoj që ekonomia në përgjithësi, edhe Kosova dhe ekonomia e saj është duke shkuar në rritje, sidomos presim që pas pandemisë të kemi rritje të hovshme ekonomisë dhe më pastaj kemi me pasur edhe raste të tilla, por sidomos mundësitë janë të hapura edhe për raste të tilla”, thekson ai.

Që nga pas lufta kur kanë operuar bankat komerciale ndërkombëtare në vend, siç është edhe Raiffeisen Bank në Kosovë nuk ka pasur shërbime të tilla.

Antigona Limani – Bejtullahu, shefe e Departamentit të marketingut dhe PR në Raiffeisen Bank, deklaroi se kjo bankë konvertimin e arit nuk e ka as në biznes modelin e tyre të planifikuar, prandaj edhe nuk kanë kërkesa të tilla nga klientët.

“Ne që nga fillimi i operimit nuk kemi pas shërbim të konvertimit të arit në bankë, dhe nuk është në biznes modelin tonë, dhe për këtë klientët janë të vetëdijshëm prandaj edhe nuk pranojmë kërkesa të tilla nga klientët, një gjë të tillë mund ta rregulloj BQK nëse ka interes për publikun”, theksoi Limani – Bejtullahu.

Në Shoqatën e Bankave të Kosovës thonë se në bazë të Ligjit 04/L-093 për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare jo-bankare, përkatësisht neni 44, paragrafi 1 dhe 1.13, e përcakton se bankat autorizohen për t’u angazhuar në aktivitetet financiare siç është operimi me ari apo një ose me më shumë valuta, në vend të valutës në të cilën është denominuar bilanci i bankës, duke përfshirë këtu kontratat ardhshme për blerje dhe shitje të valutave të huaja.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija thotë për KosovaPress se deri tash nga qytetarët nuk ka pasur kërkesa të mjaftueshme për operim me konvertim të arit, dhe si rrjedhojë nuk kanë investuar për këtë shërbim.

“Megjithatë, deri tani nga qytetarët e Kosovës mund të themi se nuk ka pasur kërkesa të mjaftueshme për operim me këtë aktivitet dhe si rrjedhojë bankat ende nuk kanë investuar për të ofruar këtë shërbim. Ky shërbim bartë një kosto të madhe për sektorin bankar, andaj edhe kërkesa duhet të jetë më e madhe që të mundësohet ofrimi i këtij shërbimi nga bankat. Sidoqoftë, besojmë se në të ardhmen bankat do të ofrojnë edhe këtë shërbim që do të jetë në dispozicion për qytetarët e Kosovës”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.

Bankat komerciale në Shqipëri kanë kursin zyrtar të këmbimit për ari dhe argjend. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version