Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, do të organizojë Konferencën Ndërkombëtare të nivelit të lartë me titull: “Rreziqet dhe mundësitë në një sektor financiar dinamik-rruga zhvillimore”, që do të mbahet në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të themelimit të BQK-së.
Siç njofton BQK, konferenca do të mbahet më 19 nëntor 2019 me fillim në orën 08:30 në Hotel Swiss Diamond.
Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë drejtuesit më të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtarë, Bankës Botërore, institucioneve tjera financiare dhe drejtues të bankave qendrore nga rajoni dhe më gjerë.
Përveç fjalimeve të drejtuesve të lartë të shtetit, të BQK-së dhe të institucioneve ndërkombëtare, konferenca do të jetë e ndarë në 4 sesione, ndërsa pritet që të prezantohet studimi “Qeverisja Korporative e Bankave në vendet e Ballkanit Perëndimor”, si dhe do të nënshkruhet Memorandumi i mirëkuptimit në fushën e qeverisjes korporative të bankave.
Pas fjalimeve të zyrtarëve të lartë vendës dhe ndërkombëtarë, do të ketë edhe një konferencë për media.