Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka reaguar lidhur me disa raportime që kanë të bëjnë me sigurinë e këtij sektori.
Sipas BQK-së, sektori bankar në vend është i sigurt dhe nuk ka hapësirë për panik.
“Banka Qendrore e Kosovës, dëshiron t’i siguroj të gjithë qytetarët se sektori bankar është i sigurt dhe nuk ka nevojë për panik. Përkundër sfidave të ndryshme teknologjike, BQK në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe bankat komerciale, kanë ndërmarrë të gjitha masat, që klientët të mos dëmtohen nga asnjë veprim i kundërligjshëm”, thuhet në reagimin e BQK-së, përcjell Telegrafi.
Institucioni më i lartë financiar në vend thekson se janë duke u kryer ekzaminimet që kanë të bëjnë me sigurinë kibernetike të klientëve.
“Bazuar në kompetencat e saj, BQK kryen ekzaminime të plota dhe të fokusuara që përfshijnë edhe fushën e teknologjisë informative, duke përfshirë edhe sigurinë kibernetike. Pjesë e ekzaminimeve kanë qenë edhe gjetjet që kanë të bëjnë me fushën e teknologjisë informative, ku janë dhënë rekomandime të ndryshme, të cilat zbusin dhe zvogëlojnë mundësinë e kryerjes së keqpërdorimeve, duke rekomanduar vendosjen e kontrolleve adekuate të brendshme, në funksion të parandalimit edhe ndaj sulmeve kibernetike”, vijon reagimi.
Po ashtu, aty theksohet se në rast të ndonjë dëmtimi, bankat komerciale në vend e kanë për detyrë që t’i bartin vet kostot e klientëve.
“Gama e gjerë e produkteve që ofrojnë bankat, bart me vete edhe rrezikun e ekspozimit ndaj sulmeve kibernetike, mirëpo që në çdo rast kur ka dëmtim të klientëve të çfarëdo natyre, bankat bartin koston e zhdëmtimit të klientëve. Për më shumë, ka pasur raste kur BQK-ja ka kërkuar dhe bankat kanë zhdëmtuar klientët ndaj çfarëdo rreziku. Gjithashtu, BQK është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të adresuar çdo nevojë në zgjidhjen e problemeve në këtë sektor”, thekson BQK-ja.
Në fund, Banka Qendrore e Kosovës thotë se blerjet nga interneti kanë shënuar rritje, gjë që deri më muajin tetor 2022 janë shënuar rreth 40 mijë transaksione.
“Viteve të fundit transaksionet elektronike që ndryshe njihen si blerjet nga interneti, kanë shënuar rritje të madhe dhe interesimi i klientëve të bankave për të operuar në këtë fushë është i madh. Deri në tetor të këtij viti, janë lëshuar, mbi 1 milion kartela për blerje elektronike dhe janë bërë 38 mijë e 112 transaksione në vlerë prej 2 milionë e 431 mijë e 910 euro”, përfundon BQK. /Telegrafi/