Performanca e sektorit financiar në Kosovë, planet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2024 e tutje, avancimi i legjislacionit në fushën financiare ishin tema të diskutimit ndërmjet anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane dhe Guvernatorit Ahmet Ismaili.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, falënderoi Guvernatorin Ismaili për gatishmërinë dhe sinqeritetin për të diskutuar me përfaqësues të sektorit privat, duke ofruar edhe gatishmërinë e Odës Amerikane për dialog konstruktiv me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Guvernatori Ismaili vlerësoi te rëndësishme mundësinë e diskutimit me përfaqësues të sektorit privat, me qëllim të të kuptuarit sa më të drejtë të brengave dhe shqetësimeve të cilat ata mund të kenë, duke qenë kontribuues me peshë në ekonominë e vendit dhe sektorin financiar. Ai po ashtu foli për një përgjegjshmëri dhe kulturë të mirë të kthimit të kredive në Kosovë, gjë që reflektohet edhe në normën e ulët të kredive joperformuese. Guvernatori theksoi të arriturat brenda sektorit financiar, duke njoftuar dhe specifikuar treguesit e likuiditetit, kapitalizimit, raportin ndërmjet kredive dhe depozitave si dhe tregues të tjerë relevantë, në pajtim me kornizën rregullative.
Ai tha se aktivitetet e Bankës Qendrore për vitin 2024 dhe vitet në vijim bazohen në strategjinë e re pesëvjeçare të institucionit i cili ai drejton, e prioritete të së cilës Strategji përfshijnë digjitalizimin, pagesat e shpejta (instant), rritjen e konkurrencës ne sektor, qasjen ne financa dhe një politikë gjithëpërfshirëse. Anëtarësimi në Zonën e Vetme te Pagesave te Bashkimit Evropian (SEPA), listimi i Kosovës në platformat globale te pagesave elektronike, si dhe mundësimi i pajisjes me Kartonin e Gjelbër, ishin çështje u diskutuan po ashtu. Guvernatori ftoi edhe komunitetin e biznesit që të identifikojë zgjidhje të mundshme dhe bashkëpunuese për të adresuar sfidat dhe çështjet aktuale në interes të vendit.
Guvernatori bëri edhe vlerësimet më të larta për Qeverinë Amerikane, për rolin e rëndësishëm në fuqizimin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve brenda industrisë financiare në vend. Në këtë aspekt ai përmendi edhe iniciativën për marrjen e vlerësimit kreditor të Kosovës, i cili po bëhet me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). USAID po ndihmon po ashtu edhe në zhvillimin e tregjeve të kapitalit, sipas Guvernatorit.
Guvernatori Ismaili foli edhe për planet për promovimin e uljes së përdorimit të parasë së gatshme në transaksionet e përditshme, duke filluar nga ato në vlerat më të ulëta, për çka tha se duhet të gjenden modalitetet nxitëse në mesin e konsumatorëve, që ndihmon edhe në luftimin e ekonomisë joformale, përveç përfitimeve tjera.