Site icon Telegrafi

BQK-ja anëtarësohet në Programin RAMP të Thesarit të Bankës Botërore

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili ka nënshkruar me Zëvëndëspresidentin e Bankës Botërore dhe njëherësh Drejtor i Thesarit,  Jorge Familiar, Marrëveshjen për anëtarësimin e BQK-së në Programin e Partneritetit për Këshillimin dhe Menaxhimin e Rezervave (RAMP) me Thesarin e Bankës Botërore (BB).

Guvernatori Ismaili pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, ka thënë se me anëtarësimin e BQK-së në këtë program është arritur një progres i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës me Grupin e Bankës Botërore.

“Kjo Marrëveshje shënon një progres të rëndësishëm në marrëdhëniet e bashkëpunimit në mes të Grupit të Bankës Botërore dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Jemi të lumtur që po anëtarësohemi në Programin RAMP dhe po ashtu që jemi banka e parë qendrore të cilave iu ofrohet kjo mundësi e re e Marrëveshjes për anëtarësim”, është shprehur Guvernatori Ismaili.

Sipas Guvernatorit Ismaili, anëtarësimi në Programin “Reserve Advisory and Management Partnership” (RAMP) do t’i mundësojë BQK-së, që të përfitojë nga ekspertiza e BB-së dhe të fuqizojë kapacitetet e saj në menaxhimin e mjeteve dhe rezervave.

“Për më tepër, ky anëtarësim do t’i mundësojë BQK-së të përfitojë nga eksperienca e gjerë e Bankës Botërore në menaxhimin e rezervave dhe do të na ndihmojë që t’i fuqizojmë kapacitetet tona në fusha tjera të ndërlidhura”, ka potencuar i pari i BQK-së, gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe BB-së në Marakesh.

Ndërsa, Zëvëndëspresidenti dhe Drejtori i Thesarit të Bankës Botërore, Jorge Familiar ka theksuar se e mirëpret anëtarësimin e BQK-së në Programin RAMP.

“Kemi nderin të mirëpresim Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës si anëtarin më të ri të Programit RAMP që mbështetet nga Fondi i Mirëbesimit”, theksoi Zëvëndëspresidenti Familiar.

“Si menaxhuesi më i madh i aseteve në komunitetin e zhvillimit, me vlerë të aseteve prej mbi 82 miliardë dollarë nën menaxhim, Banka Botërore është e përkushtuar të avancojë menaxhimin e aseteve publike në mbarë botën. Gjithashtu jemi të kënaqur nga bujaria e Agjencisë Norvegjeze për Bashkëpunim Zhvillimor (NORAD), e cila do të lejojë Programin RAMP të zgjerojë ndikimin e tij botëror”, përfundon ai. /Telegrafi/

Exit mobile version