Për 12.5 për qind kanë rënë investimet e huaja direkte në tre mujorin e këtij viti në Kosovë.
Kështu është bërë e ditur nga Banka Qendrore e Kosovës, në raportin “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë TM2 2023”.
Sipas BQK-së, investimet e huaja direkte në periudhën prill-qershor 2023 rezultojnë të kenë arritur vlerën prej 184.4 milionë euro.
“Rënia IHD-ve është evidentuar kryesisht në sektorët e patundshmërisë, ndërtimtarisë dhe sektorin e xehetarisë përfshirë guroret”, thuhet në raport.
Sipas BQK-së, sektori i patundshmërisë mbulon 60.0 për qind e përgjithshme të IHD-ve apo 110.6 milionë euro për periudhën prill-qershor 2023.
Ndërsa, investimet e huaja direkte të rezidenteve nga Kosova në vendet tjera kanë shënuar rritje në periudhën prill-qershor 2023, duke arritur vlerën prej 53.1 milionë euro (50.7 milionë euro në prill-qershor 2022), investime të destinuara në vendet e rajonit e të orientuara kryesisht në sektorin e patundshmërisë. /Telegrafi/