Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka pritur në takim menaxherin e Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni, Marco Mantovanelli me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në sistemin financiar dhe angazhimin e BQK-së për të mbështetur zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit.
Guvernatori Mehmeti ka njoftuar Mantovanellin rreth rritjes së aktivitetit të sistemit financiar në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, si dhe e ka falënderuar për mbështetjen e pa kursyer që Banka Botërore ia ka dhënë BQK-së në shumë projekte të rëndësishme.
Nga ana tjetër, Mantovanelli ka falënderuar guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin e deritanishëm, duke shprehur gatishmërinë që bashkëpunimi me BQK-në të vazhdojë të rritet. /Telegrafi/