Site icon Telegrafi

BQK depoziton në mënyrë të parregullt mbi 800 milionë euro

Nga auditimi i këtyre raporteve është konstatuar se të dhënat që i dërgohen kreut të Bankës Qendrore janë të pasakta. “Informim jo i saktë dhe jokorrekt i guvernatorit nëpërmjet Raportit Intern për Investime të Jashtme”, theksohet në të gjeturat e këtij raporti që i referohet vitit të kaluar, shkruan Koha Ditore.

Raporti i auditimit të brendshëm të cilin e ka siguruar gazeta përshkruan edhe parregullsitë tjera në procesin e investimeve jashtë vendit të qindra miliona eurove nga Banka Qendrore.

Zyrtarët e Bankës Qendrore procesin e investimeve jashtë vendit të qindra miliona eurove e cilësojnë si të rregullt dhe konform rregullave të hartuara nga ky institucion. “Të gjitha investimet e Bankës Qendrore të Kosovës, realizohen duke u bazuar në Ligjin e BQK-së dhe në Politikën e investimit të mjeteve të BQK-së. Çdo investim konfirmohet në mënyrë adekuate dhe zyrtare në të njëjtën ditë nga të gjitha palët kontraktuese”, ka thënë Besnik Kada, zëdhënës në BQK.

Investimet e mjeteve sipas tij evidentohen në baza ditore dhe ruhen në bazën e të dhënave në kuadër të aplikacionit kryesor kontabël të Bankës Qendrore. Zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë dhënë përgjigje për sa i përket gjetjes së auditorëve që ka të bëjë me informim jo të saktë të guvernatorit të Bankës Qendrore.

Në bankat e huaja, Banka Qendrore sipas raportit financiar për vitin e kaluar i ka të depozituara mbi 800 milionë euro.

“Depozitat e vendosura me bankat e huaja janë të përcaktuara në euro dhe fitojnë interes me normë efektive që sillet nga 0.10% deri në 1.20%”, thuhet në këtë raport.

Nga interesi i përllogaritur për depozita është përfituar një shumë prej 619 mijë eurosh. Nga ky interes, 132 mijë euro janë përfituar nga mbajtja e 150 milionë eurove në ING Bank, ndërsa 14 mijë euro janë përfituar nga depozitimi i 144 milionë eurove në “Banque de Francue”. Nga depozitimi i 110 milionë eurove në Banque De Luxembourg janë përfituar 19 mijë euro. Në “Raiffeisen Zentralbank”, vitin e kaluar ishin depozituar 94 milionë e 600 mijë euro, ndërsa ishin përfituar 35 mijë euro. Një shumë prej 2 mijë eurosh janë përfituar nga depozitimi i 97 milionë eurove në Danske Bank, ndërsa 1 mijë euro janë përfituar nga depozitimi i 20 milionë eurove në KBC. Më së shumti ishin përfituar nga depozitimi i 136 milionë e 64 mijë euro në “Rabobank”, nga të cilat ishin siguruar 358 mijë euro, ndërsa në “Commerzbank” ishin përfituar 58 mijë euro nga depozita 53-milionëshe e Bankës Qendrore. /Telegrafi/

Exit mobile version