Banka Qendrore e Kosovës (BQK) është bërë anëtare e Grupit Punues Ndërkombëtar për Rrezikun Operacional, i njohur si IORWG.
Me anëtarësimin në këtë grup punues, BQK-ja do të përfitojë nga pjesëmarrja aktive në ngjarje të ndryshme, nga udhëzimet dhe praktikat më të mira të administrimit të rrezikut operacional që grupi i zhvillon.
International Operational Risk Working Group është trup ndërkombëtar i dedikuar për avancimin e menaxhimit të rrezikut operacional në industrinë bankare qendrore.
Ky grup është bërë një forum i rëndësishëm në industrinë globale të bankave qendrore për inovacionin, hulumtimin, të mësuarit kolektiv dhe shkëmbimin e praktikave të shëndosha dhe të mira.
IORWG u krijua në tetor të vitit 2005 me propozim të Bankës së Spanjës, me të cilin u pajtuan edhe shtatëmbëdhjetë bankat qendrore, ndërsa sot grupi përbëhet nga 95 banka qendrore anëtare. /Telegrafi/