Site icon Telegrafi

BQE nuk mbanë përgjegjësi për dëmet e kreditorëve në Greqi

Dëmi i pësuar nga zotëruesit privat të borxhit grek në vitin 2012, nuk është përgjegjësi e Bankës Qendrore Eruopaine, ashtu siç pretendonin rreth 200 kreditorë, kryesisht italianë. Gjykata europiane ka dhënë vendimin përfundimtar, sipas të cilit, fajtore nuk është BQE, por rreziqet që janë normale në aktivitetin e sektorit financiar.

“Banka Qendrore Europiane ka vepruar me objektivin e vetëm për të ruajtur stabilitetin e unionit monetar”, theksohet në vendimin e Gjykatës Europine.
Çështja, që mbërriti në gjykatë, i referohet pikërisht vendimeve të Eurozonës në menaxhimin e krizës greke të borxhit në muajin shkurt të vitit 2012. Për shkak të këtyre vendimeve, kreditorët privatë humbën rreth 53.5 për qind të vlerës së titujve të tyre asokohe. Dëmi i kërkuar nga pala paditëse, pra nga 200 kreditorët, shkonte në 12 milionë euro.

Vendimi i gjykatës europiane thekson se investitorët privatë nuk mund të gëzojnë principin e mirëbesimit në një fushë si ajo e politikave monetare.
Këta investitorë, thekson gjykata, duhet të kishin marrë vetë parasysh situatën e destabilzuar ekonomike të Greqisë, gjë që sjell edhe luhatshmërinë e theksuar të titujve.

Investitorët privatë nuk mund të gëzojnë të njëjtat priviligje me Bankën Qendrore europoiane, pasi kjo e fundit ka një status krejtësisht tjetër, duke qenë në funksion të interesit publik. /Telegrafi/

Exit mobile version