Site icon Telegrafi

BQE: Nga lufta tregtare SHBA do të humbasë më shumë sesa Kina

Banka Qendrore Europiane (BQE), bëri të ditur në një studim se Shtetet e Bashkuara do të humbasin më shumë nga lufta tregtare, ndërkohë që Kina do të ndodhej në një pozitë më të mirë pas kundërpërgjigjeve.

Presidenti Donald trump ka thënë se lufta tregtare fitohet thjesht, kur nisi konflikti me Kinën në muajin mars. Studimi i BQE simuloi tarifa në 10% nga SHBA në të gjitha importet dhe një kundërpërgjigje ekuivalente nga vendet e tjera.

Banka theksoi se SHBA do të mbante barrën e konfliktit tregtar, dëmin e konsumatorit dhe humbjen e besimit të investitorët.

“Rezultatet tregojnë se pozita e eksporteve neto të SHBA do të përkeqësohej me kalimin e kohës. Në këtë model firmat amerikane do të investojnë gjithashtu më pak dhe ulin punësimin, gjë që amplifikon efektet negative”, bëri të ditur institucioni në Frankfurt.

Banka vlerësoi se rritja ekonomike në SHBA do të shkurtohej me më shumë se 2%. Fondi Monetar Ndërkombëtar pret aktualisht që ekonomia amerikane të rritet me 2.9% këtë vit dhe 2.7% në tjetrin.

Nga ana tjetër, Kina do të përfitonte duke eksportuar më shumë ndaj vendeve të treta, ku mallrat amerikan do të jenë subjekt i tarifave. Tregtia globale ndërkohë, mund të bie me 3%.

Modeli i Bankës Qendrore Europiane është tërësisht teorik, pasi nuk replikon kushtet aktuale të tregtisë. SHBA ka vendosur tarifa në 200 miliardë dollarë mallra kinezë dhe Kina është kundërpërgjigjur me tarifa në 60 miliardë dollarë mallra. /Telegrafi/

Exit mobile version