Site icon Telegrafi

BQE mund të ndalojë stimulimin e ekonomisë

Banka Qendrore Europiane (BQE) mund të përfundojë stimujt monetarë këtë vit, nëse ekonomia e Eurozonës vazhdon të rritet me hapa të fortë. Këtë e ka bërë të ditur anëtari i bordit drejtues të bankës në Frankfurt, Ewald Nowotny.

Institucioni ka deklaruar se do të blejë tituj borxhi nga qeveritë dhe kompanitë e Eurozonës deri në muajin shtator të këtij viti dhe pritet gjerësisht që të përfundojë këtë skemë që arrin vlerën e 2.55 trilionë euro.

Qëllimi i kësaj skeme është rritja e nivelit të çmimeve në zonën e valutës së përbashkët, si dhe mbështetja e ekonomisë me stimuj monetarë.

Komentet e Nowotny janë të ngjashme me ato të anëtarin tjetër të bordit drejtues, Benoit Coeure, dhe pritet që të forcojnë pritshmëritë e publikut.

“Nëse ekonomia vazhdon me këtë performancë, ne mund të lejojmë që programi të përfundojë në 2018-ën”, tha Nowotny.

Stimujt monetarë të Bankës Qendrore Europiane kanë ndihmuar Eurozonën që të dalë nga rreziku i deflacionit, ndërkohë që rritja e çmimeve qëndron tashmë sipër 1%-shit.

Nowotny tha se politikëbërësit do të jenë fleksibël, edhe nëse norma e inflacionit nuk e arrin objektivin e BQE në afër 2% për vitet në vazhdim. “Nuk është e thjeshtë të shpjegosh se pse 1.5% nuk është mjaftueshëm dhe 1.9% është perfekte”, tha Ewald Nowotny anëtar i bordit drejtues të BQE-së. /Telegrafi/

Exit mobile version