Inflacioni në Eurozonë u rrit me një normë më të madhe nga sa pritej, duke arritur në mënyrë efektive objektivin e Bankës Qendrore Europiane. Kjo do të sjellë debate te politikëbërësit mbi vazhdimin e programit të stimujve. Inflacioni u rrit me 1.8 për qind me bazë vjetore për muajin janar dhe ishte norma më e shpejtë që prej fillimit të 2013-ës, duke thyer projeksionet për 1.5 për qind. Norma është brenda objektivit të Bankës Qendrore Europiane prej afër 2 për qind, pavarësisht se inflacioni bazë qëndron në gjysmën e këtij niveli.
Ndërkohë që kontributin më të madh e kanë sjellë çmimet e naftës, rritja e inflacionit po shkakton paqartësi mbi shkallën e duhur të stimujve monetar në bllokun e monedhës së përbashkët. Presidenti i Bankës, Mario Draghi ka thënë vazhdimisht se presionet aktuale në çmime janë ende të dobëta dhe kërkon prova që kjo rritje të vazhdojë e qëndrueshme.
Politikëbërësit në Gjermani po kërkojnë përfundimin e programit të lehtësimit sasior. Inflacioni bazë, që përjashton çmimet e luhatura të energjisë, qëndroi në 0.9 për qind për Janarin. Euro mbeti e pandryshuar pas raportimeve, në 1.0725 dollarë.
Deri sa një përditësim të publikohet në muajin Mars, BQE do të mbështetet në sondazhe dhe të dhëna të tjera mbi ekonominë, që të vlerësojë rimëkëmbjen në rajon. Të dhëna të tjera treguan se ekonomia e rajonit u rrit me 0.5 për qind në tremujorin e katërt 2016, në linjë me projeksionet.
Eurostat publikoi gjithashtu të dhëna mbi papunësinë, ku norma ra në 9.6 për qind për muajin Dhjetor, niveli më i ulët që prej mesit të 2009-ës. Në Gjermani, inflacioni u përshpejtua në 1.9 për qind për muajin janar, që është norma më e shpejtë në 3 vite e gjysmë, ndërsa në Spanjë, çmimet u rritën me 3 për qind.
Presidenti i Bundesbank, Jens Weidmann ka thënë se është koha për përfundimin e blerjes së titujve të borxhit, program që është caktuar deri në fund të vitit 2017. /Telegrafi/