Site icon Telegrafi

BQE duhet të ketë strategji për dalje nga normat e ulëta

Ligjvënësit dhe kancelarja gjermane Angela Merkel theksojnë se është koha që Banka Qendrore Europiane (BQE) të planifikojë një strategji dalëse nga normat rekord të ulëta të interesit.

Ata kërkojnë që Merkel t’ia përcjellë mesazhin Mario Draghit pasi kancelarja do të zhvillojë një takim privat me presidentin e bankës. Bankat Gjermane, partia e saj dhe kreu i Bundesbank, Jens Weidmann, kërkojnë sqarime nga Draghi mbi mënyrën e daljes nga programi lehtësues. Politika monetare që është projektuar për të përballuar gjendjen e vështirë ekonomike në Eurozonë, po dëmton depozituesit dhe investitorët individualë gjermanë që preferojnë investime me rrezik të ulët.

“Merkel duhet të bëjë të ditur se Europa i njeh limitet e politikës së Bankës Qendrore”, tha Alexander Radwan, anëtar i komisionit të financiave në parlamentin Gjerman. Ndërsa politikat e Bankës Qendrore nuk janë në dorë të kancelares, kostot e ulëta të huamarrjes në Eurozonë po tensionojnë anëtarët e partisë së saj. Këtyre të fundit, besueshmëria u është zbehur nga paketat e shpëtimit të Eurozonës dhe prej “dyerve të hapura” për refugjatët.

Kritikë të tjerë janë ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble dhe kreu i Bundesbank, Jens Weidmann. Schauble i ka interpretuar politikat e bankës si një kërcënim ndaj stabilitetit financiar, ndërsa Weidmann ka paralajmëruar se normat e ulëta për një periudhë të tejzgjatur tkurrin fitimet e bankave dhe rrezikojnë flluska financiare. Takimi i Merkel me Draghin është rutinë dhe ata nuk planifikojnë të mbajnë ndonjë konferencë për mediat pas kësaj. /Telegrafi/

Exit mobile version