Telegrafi

BPV në Kosovë në vitin 2009 ishte 1795 euro

BPV-ja në Kosovë gjatë periudhës 2004-2009 sipas ESK-se është rritur nga 2.912.5 milionë euro në 3.912.4 milionë euro. BPV për kokë banori është rritur nga 1427 euro në 2004, në 1795 euro në vitin 2009.

ESK në publikim bën të ditur së komponenti kryesor i BPV është konsumi final i ekonomive shtëpiake, i cili është rritur nga 2.487.6 milionë euro në 2004 në 3.584.3 milionë euro në 2009.

“Formimi i bruto kapitalit ka kontribuar me 29.8 për qind në BPV në vitin 2009. Shpenzimet e qeverisë së përgjithshme në periudhën 2004–2009 kanë përfaqësuar 24.1-17.1 për qind të BPV-së në vitin 2009”, thuhet në publikimin e ESK-së.

Bazuar në të dhënat paraprake te BPV, rritja reale për vitin 2009 ishte 2.9 për qind, ndërsa shkalla e deflacionit në vitin 2009 ishte -2.4 për qind.

BPV sipas qasjes së prodhimit, është shuma e bruto vlerës së shtuar e të gjitha njësive prodhuese rezidente, plus tatimet e zvogëluara për subvencionet në prodhim të cilat nuk janë të përfshira në vlerësimin e outputit.

Formimi Bruto i Kapitalit Fiks bazohet në të dhënat e importit dhe eksportit, të dhënat administrative dhe nga të dhënat e prodhimit vendor të materialit ndërtimor. /Telegrafi/