Telegrafi

BPV-ja rritet për 1.4%

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar Bruto Produktin Vendor (BPV) për TM3 2014, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante. BPV-ja në TM3 2014 shënon rritje reale për 1.4% në krahasim me TM3 të vitit paraprak.

“Rritje pati në këto aktivitete ekonomike: bujqësi, gjueti, pylltari dhe peshkim, me 2.2%, industri përpunuese 1.3%, tregti me shumicë dhe pakicë, riparim të automjeteve dhe të motoçikletave 15.6%, hoteleri 0.4%, aktivitete financiare dhe sigurime 6%, afarizëm me pasuri të patundshme me 4.9%, administrim publik me 1%, dhe të tjera 0.6%”, ka njoftuar ASK-ja.

Rritja u neutralizua nga rënia në këto aktivitete ekonomike: furnizim me energji elektrike, gaz dhe ujë me (-31.5%), transport dhe magazinim me (-9.6%), dhe industri nxjerrëse me (-7.4%).

Varësisht prej pjesëmarrjes së aktiviteteve ekonomike në strukturën e BPV-së, të gjitha këto së bashku kanë ndikuar në rritjen reale prej 1.4% të BPV-së. /Telegrafi/