Këshilli i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë miratoi në seancën e sotme Raporin vjetor për vitin 2016, ku u konstatua se në këtë vit u realizuan me sukses të gjitha qëllimet e përcaktuara ligjore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas BPRM-së, kursi devizor mbeti stabil, çmimet në vend pësuan ndryshim të ulët dhe të butë negativ si pasojë e çmimeve më të ulëta importuese të ushqimit dhe energjisë.
Në njoftim më tej thuhet se inflacioni bazik qëndroi në nivel të njëjtë në zonën pozitive, që përputhet me rritjen e vazhdueshme të kërkesës së brendshme dhe hapësirës pozitive prodhuese.
Rritja ekonomike e Maqedonisë për vitin 2016 ishte 2.4% dhe është shumë pak më e ulët se ajo e vitit 2015.
Banka i përcjell rregullisht lëvizjet e tanishme, rreziqet e pranishme dhe në mënyrë të përshtatshme vlerëson vendosjen e politikave monetare dhe janë të gatshëm që të ndërmarrin masat e duhura për të mbajtur stabilitetin financiar dhe të çmimeve në ekonomi.
Në seancën e sotme u miratua edhe Raporti për rreziqet në punën e bankave për vitin 2016, ku u konstatua në tërësi se edhe pse jemi në krizë politike, sistemi bankar e ruajti stabilitetin./Telegrafi/