“Pas dhjetë minutash do të ju bombardojmë” .Me këto fjalë një eprorë i ushtrive aleate, po e informonte eprorin e reparteve armike që ishte në anën tjetër të frontit, vetëm disa dhjetëra metra më tutje. Tri ushtritë, mbase më të fuqishme të kohës ishin takuar në një pikë të humbur në vijën e frontit të gjatë me mijëra kilometra. Ishte kjo një pikë, një nga mijëra të tilla, e cila edhe pse larg vëmendjes së komandave të larta, përbënte një pjesë të stories së madhe që quhej lufta e parë botërore. Anglezë,gjerman,francezë po shikoheshin përmes nishanit të armëve. Popujt që sot janë boshti kurrizorë i Evropës së bashkuar po e vrisnin njëri tjetrin. Sepse ishin armiq!
“Eja dhe strehohuni te ne” – u ofroi komandanti, armiqve të vet. Bombardimet do të jenë të ashpra dhe mund të vriteni. Ata e dëgjuan. Kur u krye bombardimi, eprori i palës tjetër, vërejti se sipas të gjitha gjasave tash do të kundërsulmonte artileria e tyre dhe i ftoi “mikpritësit” që të kalonin në anën tjetër. Kështu edhe vepruan. Kështu këto goditje të ashpra artilerie kaluan pa pasoja në të dy anët. Edhe urdhrat u ekzekutuan edhe njerëzit mbijetuan. Armiqtë po e ruanin njëri-tjetrin nga sulmet e veta. Urti popullore, apo tradhti kombëtare?!
Kjo që po e rrëfej, kuptohet se nuk mund të jetë ndonjë ngjarje nga luftërat ballkanike. Edhe pse krejt Ballkani ngjanë po ashtu me një vend të humbur, larg qendrave të vendimmarrjes, larg majave të piramidave. Është kjo vetëm një skenë nga filmi “Gëzuar Krishtlindjet” i transmetuar këto ditë në ekranet tona. Ky film bazohet në një ngjarje që thuhet të ketë ndodhur vërtetë gjatë vitit 1914.
Dikur moti para shumë shekujsh u rrënua një imperi. Edhe besimi në zotin u nda në dy degë. Pastaj edhe brenda kësaj ndarje shumëçka ndryshoi. Fjala e zotit po u përshtatej interesave të fiseve. Zoti iu përshtat njeriut apo njerëzit ia përshtatën vetes zotin, kjo mbeti mister dhe çka do që të thuhet mund të hidhet poshtë si ideologji, si qëllimkeqe, e sot duket si luftë civilizimesh.
Kështu, kjo fshehje pas zotit (e më vonë edhe pas popullit), vazhdoi me qindra vjet, deri më sot. Në emër të zotit u bënë shumë luftëra dhe u thyen të gjitha urdhëresat e tij. Në emër të popullit e të miteve, po ashtu. Dikush – tha se të parët tonë ishin të përsosur, se ishin të mirët në çdo tregim. Të tjerët ishin të këqij. Prandaj, çfarëdo që bëjmë ne është mirë.
Por,të kthehemi te filmi. Në tmerrin që derdhet nga faqet e historisë kur lexojmë për luftërat e mëdha botërore, kjo ngjarje sjellë butësi dhe e rikthen besimin te njeriu, por edhe besimin e njeriut te mesazhet universale që sjellin librat e zotit.
Dhe një nga mesazhet më të “turpshme” të kësaj ndeje mes armiqsh, ishte se disa e kaluan aq mirë në ndejën me armiqtë e tyre sa i këmbyen edhe adresat që të vazhdojnë këtë miqësi edhe pas lufte. Por me këtë festim të vogël, të përbashkët, në një linjë të humbur fronti u rrënua një mur i madh prapa të cilit fshihej armiku për të cilin nuk dihej asgjë.
Krejt kjo ishte veç një episod i një lufte të madhe, ku u vranë miliona njerëz, pasardhësit e të cilëve tash jetojnë në një bashkësi ekonomike dhe politike që quhet Bashkësia Evropiane. Të njëjtit popuj zhvilluan pas 25 vitesh një luftë edhe më të madhe dhe më shkatërruese. Në fakt, këto luftëra i zhvilluan qeveritë e tyre.
Natyrisht, ngjarja e këtij filmi paraqiste një rebelim që dilte nga koncepti i “dashurisë biblike” të përshtatura me interesat e shtetit. Kreu ushtarak dhe politik nuk mund të lejonte diçka të tillë. Menjëherë u shpërbënë njësitë, u shpallën tradhtarët dhe u dënuan.
“Me ndihmën e zotit, duhet te vrisni …armiqtë! Ju jeni te mirët, e ata janë të këqijtë… kështu po predikonte kryeprifti, në përpjekje për të ri-injektuar karburantin e urrejtjes në trurin e njerëzve të cilët kishin guxuar të e shikonin armikun si një njeri, që fshihet në anën tjetër dhe që bartë të njëjtën frikë sikurse ata.
“A është kjo vërtetë rruga e zotit”- po e pyeste prifti idealist, eprorin e tij, i cili kishte ardhur të pastronte terrenin.
Edhe në Ballkan “zoti” nuk ndenji duarkryq. A është kjo rruga e zotit, do të kenë pyetur edhe qytetarët në Beograd, kur kuptuan se Danubi nuk fshihte vetëm peshq dhe gjallesa të tjera, por edhe kufoma shqiptarësh në auto-frigoriferët e fundosur aty.
Kështu patën reflektuar edhe shumë shqiptarë kur në Prishtinë, menjëherë pas lufte, disa të rinj po shfrynin mllefin për krimet e policisë dhe ushtrisë serbe, mbi një plakë të lodhur serbe, e cila kishte përfunduar si mos më keq në një linç me petarda e mjete tjera piroteknike.
E nga qeveritarët e sotëm serb të cilët synojnë Evropën për festa nuk arriti asnjë urim, asnjë kërkimfalje, asgjë që të shprehte një ndjenjë përgjegjësie për “heroizmat” e paraardhësve të tyre politik. Megjithëse ata në shenjë bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare i “paketuan” dhe i dërguan vet në Hagë.
Edhe në Prishtinë këto ditë ishte festë krishtlindjesh. Pastaj erdhi viti i ri. Krishtlindjet e tjera këtu vijnë sërish pas disa ditësh veçse quhen “Bozhiq”! Sipas të gjitha gjasave një pjesë e qytetarëve të këtij vendi ato do të i festojnë në barrikada. I kujtohet ndokujt tashmë një imperi që u nda në dy degë dikur?
E makiavelistët tanë të cilët e nisën një fushatë luftarake sa për të thënë mund të krenohen se arritën një sukses: arritën të frikësojnë një pjesë të qytetarëve të këtij vendi të cilët ende mendojnë se më shumë ia vlen të vdesësh në barrikada sesa të jetosh nën qeverisjen e njerëzve të papërgjegjshëm.
Ndoshta, dikush duhet të kujtojë gjermanët dhe hebrenjtë. Ende e kam parasysh një flautist hebre i cili i binte një melodie të dhimbshme fare pranë veshit të kancelarit Kohl, në vetë Bundestagun gjerman. Nuk folën asgjë, vetëm shprehën dhimbjen e vet.
Ndoshta në parlamentin serb do të duhej të performonte dikush nga shqiptarët dhembjen e madhe që e lanë pas ushtarët dhe policët serbë. Ndoshta dikush nga serbët në barrikada do të duhej të shkonte e të fliste në parlamentin e Kosovës. Të rrëfente çka duan njerëzit e thjeshtë. Të performojnë dhimbjen dhe hutinë e vet. Kështu armiqtë do të bëheshin me emër, me identitet. Kur janë vetëm numra nuk shprehin asgjë. Nuk ngjallin emocione.
Të dashur armiq, gëzuar krishtlindjet. Zoti qoftë me ju dhe ju ruajt nga vetja e juaj. Nga njëri tjetri tashmë po na ruajnë të tjerët. As ata vet nuk e kuptojnë ende aq qartë se çfarë jemi ne në gjendje t’i bëjmë vetes! Por, po mësojnë.
“Pas dhjet minutash do të ju bombardojmë! Ejani e strehohuni te ne”! Mbi një filozofi të tillë u nis Evropa e Bashkuar. T’ju mbrojmë nga vetvetja!
Nga të gjitha llojet, në barkën e “Noas” që quhet Evropë, do të ketë vend vetëm për njerëzit e lirë! Të lirë nga urrejtja, paragjykimet dhe konceptet primitive për njeriun dhe zotin.