Site icon Telegrafi

Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami lobon për Kosovën në Kongresin Amerikan

Pas disa takimeve në New York, në këta muajt e fundit, Vehbi Bajrami ka udhëtuar në kryeqytetin amerikan Washington, për një sërë takimesh me kongresistë në zyrat e tyre.

Botuesi “Illyria”, Bajrami u prit nga Jim Himes, kongresist nga Connecticut, Anëtari Më i Lartë I Komitetit të Përhershëm për Inteligjencën dhe anëtar i hershëm i Kaukusit të Interesave Shqiptare në Kongresin Amerikan; Seth Moulton kongresist nga Massachusetts dhe ish-oficer i marinsave amerikanë, anëtar i Komitetit të Dhomës për Shërbimet e Armatosura; Ritchie Torres, kongresist nga New York-u dhe bashkëkryetar i Kaukusit të Interesave Shqiptare; si dhe me Maeve Healy, shefe e stafit dhe këshilltare kryesore e kongresistes Grace Meng, nga New York-u, anëtare e Komitetit të Përcaktimeve, e cila nuk ndodhej atë ditë në Washington.

Në këto takime botuesi i gazetës “Illyria” informoi kongresistët dhe këshilltarët e tyre të afërt për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe kërkoi një angazhim më të madh të Kongresit Amerikan në ndihmë të Kosovës.

Ndonëse një nga kongresistët e siguroi se Serbia nuk gëzon mbështetje në Kongres, botuesi Bajrami përsëriti se lënia në harresë e Kosovës dhe Ballkanit mund të ketë pasoja të rënda.

Nga kongresisti Seth Moulton, i Komitetit që mbulon forcat e armatosura amerikane, ai kërkoi në veçanti ndihmë për forcimin e Ushtrisë së Kosovës. Një Kosovë më kapacitete të mëdha mbrojtëse është garanci edhe për interesat amerikane në rajon.

“Mënyra më e mirë do të ishte forcimi i shpejtë i Ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO”, tha Bajrami. “Kjo ndalon njëherë e përgjithmonë ambiciet territoriale të Serbisë”.

Me kongresistët e tjerë ai foli gjerësisht për situatën në Kosovë dhe rolin destruktiv të Serbisë jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje dhe Mal të Zi.

“Serbia e ka zemrën në Moskë. Ajo do vetëm fondet e BE-së. As politika e as shumica e popullit nuk duan të jenë pjesë e bashkësisë evropiane. Janë të kota përpjekjet e BE-së e të Amerikës që duke e toleruar e përkëdhelur Serbinë shpresojnë se do të heqë dorë nga lidhjet e saj të ngushta me Rusinë dhe Kinën”, tha botuesi shqiptaro-amerikan.

Kongresisti Seth Moulton premtoi se do të bëhej së shpejti anëtar i Kaukusit Shqiptar në Kongres. Të dy, bashkë me kongresistin Jim Himes premtuan se do të bëjnë një vizitë në Kosovë, për të mësuar për situatën dhe nevojat e saj. /Illyria/

Exit mobile version