Për lexuesit dhe studiuesit, në një pikëpamje studimore dhe historike vjen libri “Xhamitë e Shqipërisë. Historia, Arkitektura, shek. XV-XIX” nga Aleksandër Meksi.
Ndërtimet e kultit mysliman me shumëllojshmërinë e tyre, zënë vend të rëndësishëm në tërësinë e arkitekturës së Mesjetës së vonë (shek. XV-XIX). Ato ngrihen në të gjithë trevat e banuara nga shqiptarët gjatë këtyre shekujve, si dëshmi të qartë të një periudhe të historisë së popullit shqiptar dhe të ndërtimeve në veçanti.
Xhamitë, sahatkullat, medresetë e ndërtuara në Shqipëri e në mbarë viset shqiptare janë produkt i mendjes krijuese të arkitektëve dhe të mjeshtërve shqiptarë, duke ruajtur edhe karakteristikat e objekteve të vendeve të origjinës.
Shumë prej tyre ruajnë vlera të veçanta arkitekturale shqiptare dhe mbeten si monumente të zhvillimit historik të objekteve të kultit në viset shqiptare, të cilat kanë tërhequr e tërheqin vëmendjen e vendasve dhe të huajve, vizitorë e turistë të profileve të ndryshme nga të katër anët e botës.