Site icon Telegrafi

Botohet libri i Adil Ollurit, “Kthimi i profetit”

Prozatori Adil Olluri përmes Shtëpisë Botuese “Armagedoni” ka botuar librin e ri, “Kthimi i profetit”, ku janë përfshirë tetëmbëdhjetë tregime. Botues është

“Autori i këtij libri, ashtu si me librat e mëparshëm me tregime, ngjarjet e tregimeve dhe të personazheve vazhdon t’i zhvillojë në Kosovë, kurse temat e tyre t’i kalojë përtej kufijve kombëtarë, t’i bëjë më joshës, më të ndjeshëm, më intrigues dhe më ngacmues për lexuesit, sa duke gjuajtur yçkla në gojët dhe veprimet e personazheve komikë dhe tragjikë, po aq edhe duke ngrehur në majë të gjuhës dhe veprimeve të tyre ironinë dhe sarkazmin, në pak raste edhe groteskun”, thuhet në njoftim. “Së këndejmi, në 18 tregimet e këtij libri, ani pse personazhet janë të ndryshëm e rrëfyesi është një i vetëm që rrëfen kryesisht në vetën e tretë, në disa raste në të parën, duket sikur aty është vetëm një personazh që shtegton nga njëri tregim në tjetrin, që hap tema me të njëjtën gjuhë bisedore dhe fakte historike e që, herë provokon pak e herë shumë: fenë islame, shtetin, pushtetin, korrupsionin, krimin…”!

Adil Olluri (1984) është nga Krojmiri i Lipjanit. Shkruan prozë artistike dhe kritikë letrare. Tregimet e tij janë përkthyer në gjuhën italiane, angleze, çeke, gjermane, sllovene, serbe, esperanto dhe rome. Olluri ka fituar çmimin ndërkombëtar për letërsi “Premio Ostana Internazionale 2018” që jepet në qytetin e Ostanës (Itali). Po ashtu, ishte një nga pesë fituesit e shpërblimit të Asociacionit të Esperantologëve të Bialystokut, Poloni (2017).

Deri më tash ka botuar librat: “Trilogjia postmoderne” (monografi); “Romani postmodern shqiptar” (monografi); “Shumë rrugë dhe një rënie” (tregime); “Bartësi i shpirtrave të përzënë” (roman); “Fytyra e tiranisë” (monografi); “Shkrimtari polimorf” (monografi).

Jeton dhe punon në Prishtinë. Ky është libri i tij i shtatë.

Exit mobile version