Site icon Telegrafi

Botimi i letërsisë shqipe, si ecje kundruall rrymës…

Frano Kulli

Botuesi dhe publicisti Frano Kulli flet për mungesën e mbështetjes  së promovimit të letërsisë shqipe nga institucionet shtetërore. Nxitja e leximit nga Ministria e Kulturës për të është në kufijtë e propagandës. Ai thekson se në bibliotekat e shkollave mungojnë fondet për të mbështetur letërsinë shqipe.

Anila Dedaj

Z. Kulli, janë më së paku rreth 100 botues në trojet shqiptare, mes të cilëve shumë pak zgjedhin të sjellin letërsi shqipe. Përballë këtij realiteti ju botoni letërsinë shqipe, çfarë ju ka nxitur drejt në zgjedhje të tillë?

Një marrëdhënie e hershme e veshur me një afeksion të thellë me autorët e traditës sonë; me letërsinë e tyre. Lexues i dashuruar me librat e tyre, me disa haptas (Mjeda, Migjeni, Lasgushi, Rreshpja etj.,) dhe me të tjerë tinzash (Fishta, Koliqi , Zadeja etj.,).Kjo ka qenë ndoshta shtysa e parë, një dëshirë e fjetur tani e kthyer si nostalgji drejt kësaj përzgjedhjeje. Pastaj më vonë, shumë më vonë, atëherë pas rënies së censurës që pillte regjimi, kur munda të isha jo vetëm lexues, por tashmë fuqiplotë, si kushdo tjetër në Shqipërinë me liritë e rikthyera, për t’i pasur e për të gërmuar kudo të kishin mbetur ende këto libra dhe madje për t’ia sjellë lexuesit të interesuar, të botuara.

Shkrimtaria e këtyre autorëve, përgjithësisht ka qenë një shkrimtarí e angazhuar. Sigurisht aspak në kuptimin ideologjik të fjalës. Letërsia e tyre, po dhe i gjithë veprimi intelektual i tyre ka qenë një mision në shërbim të përndritjes së ndjesisë kombëtare, mbrojtjen e saj prej shprishjes në rrethanat historiko-politike e shoqërore të kohës. Brenda dhe jashtë Shqipërisë…

Në ambientin tim të punës, mbaj një foto të vitit 1938 që e kam shumë për zemër. Janë aty së bashku, fotografuar në Shkodër prej Marubit mjeshtër, Asdreni e Fishta, ulur dhe sipër dy më të rinjtë: Lasgushi e Koliqi. Rrethanat e asaj fotoje janë këto: Në nëntorin e ’37-ës Asdreni gjendet në Tiranë për festimet e 25 vjetorit të pavarësisë. Ardhur nga mërgata e Bukureshtit. Ernest Koliqi, shkrimtari i ri e shumë premtues i kohës, në emër të krijuesve dhe intelektualëve shkodranë e fton Asdrenin, por edhe Lasgushin për një takim me qarqet letrare që gjallonin në Shkodër dhe që ishin ndër më të begatat në Shqipërinë e kohës. Dhe bëhet një takim në Kinema “Rozafat”. Salla e mbushur përplot nuk i zë njerëzit… Mbas atij takimi të ngrohtë shumë, shkojnë në studion e mjeshtrit ku është fiksuar fotoja. Të tilla kanë qenë kohët në të cilat e jetuan intelektualitetin dhe shkrimtarinë e tyre këta autorë. Plot pathos e shpirt. Kjo gjë, mua më afeksionon ende.

A është e vështirë të realizoni objektivin tuaj?

Siç ju e theksoni në krye të herës kjo zgjedhje e imja është një ecje kundrejt rrymës. Dhe ecja kundruall rrymës është gjithherë e vështirë, madje jo rrallë e rrezikshme. Unë vijoj të jem i vetëdijshëm për këtë. Por jam përpjek të ruaj ekuilibrat e domosdoshëm midis plotësimit të shijeve të mija në punën që bëj, me rregullat e “parregullta” që editoria këtu në Shqipërinë tonë ka, e ndoshta do t’i ketë edhe për jo pak kohë. Siç ndodh rëndom funksionimi i gjërave  në përgjithësi këtu ndër ne. Edhe për letërsinë sot, si përzgjedhje leximi, në modë është letërsia e huaj. Edhe kur ajo vjen jo si më e zgjedhura. Apo për më tepër kur vjen e përkthyer keq. Po shumë keq ëë… Siç ende vazhdon të jetë modë këtu ndër ne gjithçka e huaj. Mjafton të ketë targetën “e huaj”.  Aftësia e përzgjedhjes dhe seleksionit ende vijon të jetë e ndikuar dhe mjaft e ndërlikuar; ne ende nuk jemi distancuar qoftë edhe sado modestësisht nga sindromi ynë i inferiortetit, që për hir të së vërtetës ka ende njëqind arsye të ndodhë.  Po në rend të parë, për shkak të ecjes sonë mjaft të ngadaltë në udhëtimin tonë drejt Europës, duke preferuar më së shumti imitimin sesa thelbin e vlertë të gjërave më të mira të saj.

Çfarë mbështetje institucionale keni?

Patëm në përmendje deri tani vetëm letërsinë shqipe të traditës. Po unë ndjehem po kaq i afeksionuar që në “Botimet Fishta” që unë drejtoj, botojmë edhe romanet e Stefan Çapalikut, të përkthyera në 4-5 gjuhë të rëndësishme evropiane, tregimet e Lazer Stanit, publicistikën dhe esetë letrare të Agron Gjekmarkajt. Apo “Fjalor i gjuhës shqipe – me 41000 fjalë dhe 5000 shprehje  frazeologjike, që nuk i gjejmë në Fjalorin e Akademisë së Shkencave (1980 dhe 2002) i Mehmet Elezit dhe prozën e tij më të vlerësuar… Siç shpresojmë të kemi në këtë listë edhe poezitë e zgjedhura të Frederik Rreshpjes, në të ardhmen. Natyrisht  që as nuk kemi pritë mbështetje institucionale  për këtë; fundja edhe veprimtaria botuese i është nënshtruar që në fillesë rregullave të tregut, si kudo. Ndonëse, mjaft më egër se në vendet e zhvilluara me përvojë shekullore e të konsoliduar. Ndërsa, nëse flitet për fondin e traditës, si aset i peshueshëm i trashëgimisë kulturore sigurisht që këtu është vendi e rasti të flitet për mbështetje. Por nga institucionet tona të kulturës kjo nuk ka ndodhë me ne e as ka gjasa të ndodhë ! Mbështetja institucionale nga Ministria e Kulturës për botimet, më shumë ka funksionuar si “qoka” për të preferuarit e zonjës ministresh, deri tani.

Po përsa i përket autorëve të rëndësishëm që ju sillni si Fishta apo Mjeda, a e shikoni të mjaftueshme hapësirën që ju lihet atyre në tekstet shkollore?

Ja një rast i artë ku përkrahja e institucioneve duhej të qe medeomos. Mjafton që autorë të tillë të zinin vendin e merituar në tekstet mësimore në shkolla, por edhe si lexim i rekomanduar gjithashtu. Në të vërtetë, ata janë pjesë e teksteve mësimore. Mjeda ishte edhe përgjatë kohës së regjimit. Fishta pas anatemës gjysmëshekullore është tani pjesë e teksteve mësimore, me një pjesë të veprës së vet letrare. (“Mrizi i Zanave”- nga lirika e tij, ”Juda Makabe dhe Jerina”- nga dramaturgjia, “Lahuta e Malcis’ “- kryevepra e tij epike dhe “Gomari i Babatasit”- nga satira). Por prapë i paragjykuar e i mënjanuar. Me njëqind arsye të paarsyeshme. Mbështjellë me indiferencë e heshtim, në ambientet letrare e kulturore, në përgjithësi. Në cilindo shtet normal, trashëgimia kulturore shpirtërore, ku futet edhe letërsia e shkrimtaria në përgjithësi, ruhet e promovohet si vlerë e identitetit kombëtar.

Çfarë nismash duhet të ndërmerren, sipas jush, që letërsia shqipe të shkoj tek lexuesi?

Së pari, duke mos e nënçmuar, jo me deklarata, jo deri në këtë ekstrem se kjo s’ka ndodhë, por me heshtim e shpërfillje, siç e ceka më lart. Një theks i ri për nevojën e rritjes së të lexuarit dhe të të pasurit të një marrëdhënieje më familjare me librat, artikuluar së fundmi si nismë nga Ministria e Kulturës, deri tani më duket se është vetëm në kufijtë e propagandës. Madje e propaganduar shkujdesshëm nga zonja ministresh e Kulturës mori përmasa anektodike, duke e larguar shumë larg prej besueshmërisë së nismës… Fjalë, fjalë pa kurrfarë mbështetje financiare. Kurse nga bashkia e Tiranës, mbahet mend si i vetmi investim për libra në bibliotekat e reklamuara të Tiranës, ai i dhënë për veprën e Dritëro Agollit , rreth nja100 milionë lekë (nëse jam i saktë)…

A ka kërkesa nga bibliotekat e shkollave për letërsinë shqipe?

Krejt papërfillshëm! Dhe këtu nuk mund t’i jap të drejtën vetes të gjykoj shkollat për mosdashje. Në të vërtetë ka mospasje. Mospasje fondesh. Kujdesja e shtetit edhe këtu është thuajse inekzistente… Edhe aty ku është bërë ndonjë investim ai është orientuar te fasadat, te lyerjet…, dhe më pas një lumë propagande dhe kaq.

Cilët janë titujt ( autorë shqiptarë) që ju do të sugjeronit?

Ata që janë mohuar për gjysmë shekulli, më së pari: Fishta, Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Lumo Skëndo, Anton Harapi… Sepse, ende anatemohen, në mënyra të kamufluara, sa nga studiuesit nostalgjikë të socrealizmit, po kështu edhe nga institucionet “rilindase” kulturore.

Vijojnë diskutimet rreth “Ligjit për librin”, cilat janë pikat, që sipas jush kanë nevojë të rishikohen përsa i përket botimeve?

Nga Shoqata e Botuesve ku unë bëj pjesë e cila ka qenë gjithnjë shumë serioze dhe ekzigjente në kërkesat për politikat  e shtetit me librin, janë paraqitur me gojë e me shkrim vërejtjet. Dhe nëse ato do të konsiderohen nga vendimmarrësit, besoj se gjërat mund të ndryshojnë mjaft për më mirë.

Edhe në bibliotekat e shkollave, ku është bërë ndonjë investim ai është orientuar te fasadat, te lyerjet… dhe më pas një lumë propagande dhe kaq. /Shekulli/

 

 

Exit mobile version